Pavarësisht aktakuzës, Hajdari nuk e ka parë të arsyeshme të japë dorëheqje. Ajo ka akuzuar Prokurorinë Speciale për “tendencë politike” në ngritjen e këtij rasti.
Prokuroria Speciale ngriti të martën aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore. Së bashku me dy zyrtarë të tjerë të ministrisë, ajo akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “dëmtim të buxhetit” dhe “zbulim të fshehtësisë shtetërore”.
Pavarësisht aktakuzës, Hajdari nuk e ka parë të arsyeshme të japë dorëheqje. Ajo ka akuzuar Prokurorinë Speciale për “tendencë politike” në ngritjen e këtij rasti.
Për Ehat Miftarajn, drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në një qeveri ku zbatohen parimet minimale të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, dorëheqja ose shkarkimi do të ishin aktet më të duhura në raste të tilla.
Përveç dorëheqjes ose shkarkimit, në vlerësimin e tij, legjitime do të ishte edhe kërkim falja e sinqertë nga kryeministri dhe partia e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është e paprecedentë që një vend që aspiron të anëtarësohet në BE të amnistojë dhe promovojë në këtë mënyrë korrupsionin”, thotë ai për Albanian Post.
Për koincidencë, sipas tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi sqarime nga Bashkimi Evropian lidhur me aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në Union, duke u krenuar për reforma në sundim të ligjit.
“Duke injoruar dhe mbyllur sytë e njëjta ndaj aferave korruptive në Kosovë, duke injoruar aktgjykimin e Gjykatës Supreme lidhur me shkeljen e ligjit nga qeveria duke mbajtur dy pozita njëkohësisht — të deputetit dhe në ekzekutiv — dhe shumë skandale tjera”, shton ai.
Sipas Prokurorisë Speciale, Rozeta Hajdari së bashku me Irfan Lipovicën, Hafiz Garën dhe Ridvan Muharremin po akuzohen për dëmtimin të buxhetit të shtetit në vlerë prej 2 milionë e 912 mijë euro.
Sipas aktakuzës, Hajdari, Lipovica dhe Gara dyshohen se gjatë muajve shkurt-mars 2022 kanë keqpërdorur detyrat zyrtare në bashkëkryerje, me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimin e dëmtimit të buxhetit të shtetit.
Po ashtu, të pandehurit akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare, duke iu dhënë informacione për vendndodhjen e rezervave shtetërore, që konsiderohet sekret shtetëror sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, të pandehurit Ridvan Muharremi.
Muharremi akuzohet gjithashtu për ndihmë në kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë që kishin lidhje me rezervat shtetërore.
E pyetur se pas gjithë këtyre akuzave a do të jap dorëheqje, Hajdari tha se ndihet krenare për punën e saj si ministre dhe sidomos për sigurimin e rezervave shtetërore në një kohë krize, andaj dorëheqja e saj nuk është as çështje diskutimi.
Pasi ajo tha se konsideron se ngritja e aktakuzës ndaj saj nga ana e Prokurorisë Speciale për çështjen e rezervave shtetërore vetëm që “afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj qeverisë Kurti”.
“Çdo pretendim i prokurorisë që vendimi është i kundërligjshëm nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj qeverisë Kurti”, tha ajo në një konferencë për media.
Ajo ka pretenduar se Prokuroria ka mbledhur prova në mënyrë të jashtëligjshëm, përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi, i cili, sipas saj, i ka dërguar në Ministri pa certifikatë të sigurisë.
“Pra pa leje për qasje në këto dokumente sekrete”.
Hajdari ndër të tjera ka garantuar se në këtë çështje nuk është i përfshirë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Kurti ka të vetmen lidhje që ka aprovuar në kolegjin qeveritar kërkesën tonë të ligjshme sipas ligjeve në fuqi për largimin nga procedurat e prokurimit publik, sepse dështuam tri herë, kjo është e vetmja ndërhyrje ligjore e qeverisë për aprovimin e kërkesës tonë”.
Rezervat shtetërore të Kosovës u bënë kryelajm në gusht të vitit 2023, pas dyshimeve për keqpërdorim të tyre. Në atë kohë, Policia e Kosovës arrestoi disa persona, përfshirë punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
Bastisjet dhe arrestimet pasuan publikimin e disa audio-incizimeve nga portali “Nacionale”, në të cilat pretendoheshin mungesa të produkteve të kontraktuara për rezervat shtetërore, si vaji i blerë dhe paguar në Poloni, por që nuk kishte mbërritur në Kosovë, si dhe gruri.
Hajdari kishte deklaruar se blerjet ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha detaje, duke theksuar se informacioni mbi rezervat është sekret shtetëror. Ajo gjithashtu akuzoi policinë për marrjen e dokumenteve të klasifikuara gjatë bastisjeve.
Kryeministri në atë kohë, Albin Kurti, i doli në mbrojtje Hajdarit, duke mohuar çdo shkelje apo korrupsion dhe duke akuzuar, siç tha, “elitën e vjetër politike, gjykatësit dhe prokurorët e saj, si dhe mediat e keqpërdorura”.
Tetë muaj më vonë, në prill 2025, Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rezervat shtetërore. Ajo u mbrojt duke heshtur, ndërkohë që opozita kërkoi dorëheqjen e saj. Hajdari mohoi se ka arsye për tërheqje nga detyra.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje për pritjen e epilogut të rastit.
Prokuroria Speciale i kishte kërkuar Gjykatës Themelore ta urdhëroi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin të dëshmoi para Prokurorisë për rastin e rezervave shtetërore. Kurti i kishte refuzuar tri ftesat e Prokurorisë.










