Rreth 8600 qytetarë janë vaksinuar kundër gripit sezonal në QKMF-në e Prishtinës, kush rrezikohet më shumë?

Rreth 8600 qytetarë janë vaksinuar kundër gripit sezonal në QKMF-në e Prishtinës, kush rrezikohet më shumë?

Rreth 8 mijë e 600 qytetarë deri më tani janë vaksinuar kundër gripit sezonal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë. Ndonëse është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve me simptoma gripi, situata aktualisht nuk është shqetësuese.

Doktoresha në këtë qendër, Vjollca Zeqiri, ka thënë për KosovaPress, se të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen, ani pse vaksinimi vazhdon deri në muajin prill- maj të vitit të ardhshëm, mirëpo kjo kohë është më mirë për shkak se gripi është më i theksuar.

Ajo ka theksuar se gripi shkaktohet nga tre lloje virusesh, tipi A, B dhe C, ku dy të parët mund të shkaktojnë forma më të rënda të sëmundjes.

Sipas saj, personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe gratë shtatzëna, fëmijët më të vegjël se pesë dhe dy vjeç, janë më të rrezikuarit nga gripi sezonal.

Zeqiri ka theksuar edhe komplikimet që mund të kenë këta persona si pasojë e virusit.

Zeqiri ka bërë thirrje për kujdes dhe higjienë personale, duke theksuar se virusi i influencës përhapet shumë lehtë përmes kontaktit të afërt.

Ajo ka bërë thirrje edhe për qytetarët që konsumojnë antibiotikë pa recetë të mjekut, që të kenë kujdes, pasi që antibiotikët veprojnë vetëm në bakterie dhe jo në infeksione dhe shkaktojnë efekte anësore të dëmshme.

Doktoresha e QKMF-së, Vjollca Zeqiri ka thënë se bari i njohur si “paracetamoll”, është bari i zgjedhjes së parë për ta zbritur temperaturën dhe largimin e dhimbjeve. Ajo apelon që të konsumohen lëngje, ushqim i pasur me pemë dhe perime dhe të pushojnë, sidomos në dy- tre ditët e para kur është kulmi i simptomave. Simptomat e gripit sezonal janë teshtitje, kollitje, ethe dhe temperaturë./KP/