Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka gënjyer publikisht në konferencën e djeshme për media.
Ajo theksoi se dy prokurorët që ia ngritën aktakuzën, Milot Krasniqi dhe Valdet Gashi, nuk e kanë fituar asnjë rast në gjykatë.
“Prokuroria vendos të më ndjekë mua politikisht, për të luftuar Qeverinë, e cila atë dhe shefin e tij, Blerim Isufajn, nuk i lejoi të avancohen. Prokuroria Speicale, në krye me Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, që na akuzojnë neve, dy prokurorë këta kurrë nuk kanë fituar një rast në gjykatë”, ishte kjo deklarata e saj para mediave.
Megjithatë, ajo demantohet me një kërkim të thjeshtë në rrjete sociale.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, ka qenë prokuror i rastit “Veteranët”. Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar Agim Çekun dhe nëntë të tjerët, me nga një vit burgim.
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashar, në rastin “Veteranët”. Kurse, u liruan nga akuza Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.
Prokurori Valdet Gashi kishte qenë në krye të hetimit edhe për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Edhe këtë rast e fitoi pasi Labinot Gruda u dënua me 11 vite burg e 8 mijë e 500 euro gjobë, kurse Kadri Shala u dënua me 10 vite burg e 33 mijë euro gjobë.
Gashi kishte hetuar edhe krimet e luftës, kurse në vitin 2021 e fitoi rastin për krime të luftës në Nerodime të Epërme ku u dënuan dy persona, njëri me 14 vjet burg e tjetri me 7 vjet burg.
Kurse, edhe prokurori Milot Krasniqi ka disa raste të fituara, dhe me një kërkim në internet gjenden disa prej tyre.
Krasniqi fitoi rastin pak javë më parë për shpërlarje parash, ku u dënua Bedri Nika, ish-kryetari i LDK-së në Drenas, dhe nipi i tij Alban Nika.
Krasniqi kishte qenë në krye të hetimit të një aksioni nga Policia e Kosovës bashkë me FBI dhe SPAK, për një treg kriminal online që kishte qenë aktiv në disa vende të ndryshme të botës.
I njëjti prokuror, kishte qenë edhe në krye të hetimit për rastin e Liridon Masuricës, që udënua në Amerikë për ndërhyrje në sisteme kompjuterike.
Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka folur për herë të parë pas ngritjes së Aktakuzës nga Prokuroria Speciale, në rastin e rezervave shtetërore, për të cilat, kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Nacionale. Ajo thotë se ‘është ruajtur siguria kombëtare’ në rastin e rezervave shtetërore.
“Qeveria jonë kishte bërë transparente veprimin e vetë, me qëllim furnizimin e rezervave shtetërore. Përgjatë qeverisjes tonë, pra qeverisjes së udhëhequr nga LVV, rezervat shtetërore janë tridhjetëfishuar në dy vite”, ka thënë Hajdari.
Ajo ka sulmuar Prokurorinë Speciale dhe prokurorin Valdet Gashi.
“Për më shumë kjo është ndryshim nga qeverisjet e kaluara, ku rezervën shtetërore e gjetëm të vjedhur. Cdo pretendim i Prokurorisë se vendimi është i kundërligjshëm nuk qëndron, por afirmon tendencën politike të kësaj Prokurorie Speciale ndaj Qeverisë Kurti.
Më tutje, vlen të theksohet, përtej cdo ndryshimi se rezervat shtetërore janë secret shtetëror sipas ligjeve në fuqi sepse vec tjerash Ligji e parasheh këtë.
Çdo prtendim tjetër është në dobi politike që është plotësisht i palejueshëm dhe i pamoralshëm, marrë parasysh situatën në të cilën ishim në vitet 2022.
Provat e ashtuquajtura të Prokurorisë Speciale janë mbledhur jashtëligjshëm, përmes hetuesve të dërguar nga prokurori Valdet Gashi që ka dërguar policët hetues në Ministri, pa leje të sigurisë. Ata morën materialin brenda një orë në MINT”, tha Hajdari.











