Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka nisur procesin e heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, të vendosura në maj të vitit 2025, në paralel me përpjekjet për de-përshkallëzim të situatës në veriun e vendit.
Një zëdhënës i BE-së ka bërë të ditur për Front Online se Komisioni Evropian ka rirregjistruar katër projekte të asistencës teknike për investime të mundshme të ardhshme në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje.
‘’Paralelisht me përpjekjet për de-përshkallëzim në veri të Kosovës, Komisioni ka ndërmarrë disa hapa për të hequr gradualisht masat e vendosura në maj 2025. Më konkretisht, Komisioni ka paraqitur sërish katër projekte të asistencës teknike për investime të mundshme të ardhshme në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Këto projekte janë më pas miratuar nga Bordi i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF)’’, kanë thënë nga BE-ja për Front Online.
Po ashtu, janë rifilluar aktivitetet e nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilat ishin pezulluar gjatë periudhës së masave.
Sipas BE-së, hapat e mëtejshëm mbeten të kushtëzuar nga një de-përshkallëzim i qëndrueshëm në veri të Kosovës. Komisioni synon të vazhdojë heqjen e masave, nëse sigurohet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, dhe nëse situata mbetet e qetë.
‘’Hapat e mëtejshëm mbeten të kushtëzuar nga një de-përshkallëzim i qëndrueshëm në veri.Komisioni synon të vazhdojë heqjen e këtyre masave, me kusht që të sigurohet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe që de-përshkallëzimi të ruhet’’, thuhet në përgjigjen e BE-së për Front Online.
Në lidhje me Dialogun Beograd–Prishtinë, Bashkimi Evropian njofton se Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, do të thërrasë një takim të nivelit të lartë sapo të krijohen kushtet e nevojshme./Front Online.











