‘’Zgjedhje’’, ka qenë kryefjala e këtij viti në Kosovë. Pas atyre të përgjithshme të 9 shkurtit, dhe atyre lokale të 12 tetorit dhe raundit të dytë të tyre me 9 nëntor, një proces i ri zgjedhor është paralajmëruar për të hënën. Porse, kësaj radhe ky do të zhvillohet brenda një partie, brenda Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
PDK do të mbajë konventën e saj të hënën, pasi që kryetari i deritanishëm i kësaj partie, Memli Krasniqi, dha dorëheqje nga posti që mbajti përgjatë viteve të fundit.
Ky i fundit, në konferencën për media, deklaroi se vendimi i tij s’erdhi nga momenti e as për shkak të zhvillimeve të fundit, dhe se PDK’ja ka nevojë për të krijuar një momentum të ri.
“Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme. PDK-ja ka nevojë për të krijuar një momentum, dhe një mundësi të re për familjen tonë demokratike. Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për kryeministër, në zgjedhjet e ardhshme kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë”, tha ai ditën e dorëheqjes.
Me tu dorëhequr Krasniqi, zërat se kush do të marr drejtimin e njërës prej partive kryesore dhe të rëndësishme në historinë politike të vendit, filluan të shfaqen.
Pa kaluar shumë kohë, i pari që shfaqi kandidaturën e tij për këtë pozitë, ishte Bedri Hamza.
Hamza që ishte kandidat i kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet e fundit parlamentare duke arritur gati 200 mijë vota, deklaroi se PDK’ja ka forcën për t’u unifikuar dhe për t’u kthyer si partia kryesore në vend.
Ai shtoi edhe se PDK, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, duke falënderuar themeluesit e kësaj partie, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, por edhe Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash.
‘‘Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend. Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja. Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash. Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane’’, shkroi Hamza mes tjerash.
Pos tij, interesim për të parin e PDK’së shfaqi edhe një nga të lartpërmendurit nga Hamza.
Enver Hoxhaj, të premten mbrëma deklaroi se ai është ‘’i vendosur’’ që të garojë për kryetar të PDK’së, duke shtuar se duhet të prezantohet edhe platforma për të ardhmen e kësaj partie.
‘’Unë dua që të garojë për karrigen e kryetarit të partisë. Për atë mendoj që procesi është më rëndësi. Me një platformë të qartë se si mund ta bashkojë PDK’në, se si mund të jap një orientim të ri se si mund të duket PDK në vitet e ardhshme se si mund të bashkëpunojë edhe me vetë opozitën, edhe me LDK edhe me AAK edhe me NISMA’n. Çfarë forme ta tejkalojmë këtë ngërç politik. Janë pritjet që unë i kam prej vetes time se çka mund të jap kontribut në një konventë të ardhshme të PDK, prandaj zgjedhjen e kryetarit të PDK nuk e shoh si çështje teknike por si një çështje shumë të rëndësishme politike. Për këtë po angazhohem që të ketë garë, mund të garojë dikush tjetër, që nuk është aprovuar. Mund të vendos baza për dikë tjetër, mund të thotë dikush që Bedriu dhe unë nuk jemi më meritorët për këtë punë. Por këtë e caktojmë ne. Ia caktoj unë vetes misionin tim dhe sa mund të shtyjë një qëllim të caktuar politik”, ka thënë n Klan Kosova.
Për garën brenda PDK’së është deklaruar edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku. Kjo e fundit, në një përgjigje për Express ka deklaruar se pjesë e garës për pozitën në fjalë është i ‘’mirëseardhur’’ çdo anëtar që plotëson kriteret në bazë të Statuti.
“Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, ka thënë Çitaku.
E njëjta, ka shtuar edhe se, për PDK’në është e rëndësishme që kjo parti të dalë e unifikuar në fund të procesit.
“Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt.Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Ndryshe, përveç këtyre, me shumë gjasë duket se Kosova do të shohë edhe një proces të ri zgjedhor, atë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të cilat do të mbahen në rast se i mandatuari i VV’së për kryeministër, Glauk Konjufca, s’arrin t’i sigurojë votat për krijimin e qeverisë deri me 19 nëntor. /GazetaExpress











