Një konferencë, dhjetëra rrena: Qe disa prej tyre që i tha Rozeta Hajdari për dallaveret me rezervën e shtetit

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, doli në konferencë për media.

Si e akuzuar për dallaveret me rezervën, ajo tha një numër të pavërtetash. Madje, duke e demantuar vetën brenda pak minutash. Disa të tjera, demantohen nga aktakuza e Prokurorisë Speciale.

Qysh në fillim të konferencës për media, Rozeta Hajdari ka deklaruar se nuk kishte pasur interesim nga operatorët ekonomikë për ta furnizuar Kosovën me rezervë.

Kjo demantohet keq nga aktakuza e Prokurorisë Speciale. Kompania “M&Sillosi” kishte shprehur gatishmëri t’ia ofrojë MINT-it 10 tonë grurë, madje pa shpenzime të transportit.

Për këtë, e ka konfirmuar edhe drejtori i Departamentit për Rezerva, Hafiz Gara. Madje, Gara kur kujton se kur i kishte treguar Hajdarit ajo i kishte thënë “ata e marrin grurin prej Serbisë”.

Rrena e dytë. Rozeta Hajdari theksoi se në Kosovë nuk ka arritur një sasi e vogël e mallit. Fjala është për mbi 50 tonë grurë, kurse vaji dhe sheqeri nuk kanë arritur fare. Pra, nuk është sasi e vogël.

Rrena e tretë. Ministrja thekson se përveç Ridvan Muharremit ka pasur edhe operatorë të tjerë të kontaktuar, megjithatë bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, aty njeriu më i fuqishëm ka qenë Ridi, i cili ka pasur rol të jashtëzakonshëm, dhe nuk përmendet asnjë operator tjetër.

Rrena e katërt. Ministrja Hajdari tha se nuk kanë marrë asnjëherë kërkesë nga Departamenti Ligjor i MINT ku thuhet se nuk lejohet që rezerva të blehet me negocim. Por, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, disa punëtorë të MINT, tregojnë se kanë dëshmi me Email që i kanë njoftuar që kjo nuk është e lejueshme, por që presioni nga Rozeta Hajdari ka qenë i madh.

Rrena e pestë. Hajdari e demanton veten brenda konferencës. Ajo në fillim tha se nuk i ka lexuar deklaratat e dëshmitarëve. Megjithatë, kur u pyet nëse i ka ofenduar zyrtarët e MINT, Hajdari tha se ajo nuk e përdorë fjalën “llama”, që tregon se i ka lexuar deklaratat, pasi një prej dëshmitarëve tregon si ishte ofenduar nga Hajdari.

Rozeta Hajdari u lëshua në akuza të rënda ndaj Prokurorisë Speciale, duke e akuzuar për ndikime politike, madje duke përmendur me emër edhe prokurorët.

Ajo akuzoi edhe hetuesit për të cilët tha se nuk kanë pasur certifikatë të sigurisë, kurse nuk u përgjigj nëse Ridvan Muharremi e ka poseduar të njëjtën, pasi është marrë me komplet këtë temë.

Ministrja në detyrë e Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka implikuar edhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, AKI-në, në rastin e rezervave shtetërore.

E pyetur se si një person privat si Ridvan Muharremi, kishte qasje në ËhatsApp, ajo tha:

Para se të krijojmë komunikime me operatorët ekonomik, MINT ka konsultuar një institucion përkatës për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara, më saktë AKI.

Në bazë të konsultimeve dhe rekomandimeve nga AKI, kanë fillu dy procese, një proces ka qenë se nëse është situata urgjente, të shkoni me procedurë të shpejtë me rekomandimet që ka dhënë AKI.

Pastaj të filloni me proceduren më afatgjatë, të pajisen edhe zyrtarët që s’kanë ceritifikatë sigurie, të pajisen me të.

Asnjë operator ekonomik që ka pasë kontakte, komunikime, negocime me Komisionin e Ministrisë për blerjen e rezervave shtetërore, nuk ka krijuar grup në ËhatsApp pa nënshkruar dokumente të AKI-së. pra jemi sipas udhëzimeve të AKI-së për të ruajtur sekretin shtetëror”, tha ajo.