Aksion në Ratkoc: Policia sekuestron arsenal armësh, arreston tre persona

Policia e Kosovës ka kryer një aksion të gjerë në fshatin Ratkoc të Rahovecit, pas informacioneve se më 9 nëntor persona të dyshuar kishin shtënë me armë zjarri në zonë. Pas veprimeve hetimore dhe me autorizim të prokurorit, sot janë kontrolluar tri lokacione të ndryshme.

Gjatë bastisjeve është gjetur një arsenal i plotë armësh, përfshirë:
– një mitraloz,
– tri pushkë të gjata automatike,
– një pushkë gjysmëautomatike,
– dy pushkë gjuetie,
– tri pistoleta për sinjalizim,
– 967 fishekë të llojeve të ndryshme,
– një thikë gjuetie,
– një shufër metalike,
– një predhë dhe një shënjestër optike.

Tre persona të rritur janë arrestuar si të dyshuar për të shtënat me armë. Prokuroria ka iniciuar tri raste penale për “mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Me vendim të saj, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.

Policia po vazhdon hetimet.