Pas raportimit të Klankosova.tv për anulimin e ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, institucioni përkatës ka publikuar vendimin e plotë.
PZAP-i thekson se kanë refuzuar ankesën e PDK-së për rivotim në zgjedhjet lokale në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
“Refuzohet e pabazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me te cilën ka kërkuar qe te urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që brenda afatit të caktuar ligjor, të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke kryer rivotim në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në vendimin e PZAP-it, njofton Klankosova.tv.
Tutje, PZAP-i tregon edhe arsyetimin e kërkesës që parashtroi tek ta PDK-ja më 11 nëntor me seli në Prishtinë.
Në vendimin e publikuar theksohet se thelbi i ankesës së PDK-së lidhet me faktin se fletëvotimet janë gjetur të përziera ndërmjet klasave dhe shkollave të ndryshme, pra nuk është respektuar përputhja me kodet unike të vendvotimeve.
Në një pjesë të vendimit PZAP-i tregon se pse nuk duhet të ketë rivotim në Mitrovicën e Jugut.
“Sa i përket pretendimeve të palës ankuese për dërgimin në rivotim dhe përsëritjen e zgjedhjeve në gjithë territorin e Mitrovicës së Jugut, Paneli vlerëson se ky pretendim është i pa themeltë, pasi që në rastin konkret përmes provave të administruara nuk është arritur të provohet se ka shkelje të Ligjit të Zgjedhjeve apo të Rregullave të KQZ-së, me cilën është cenuar integriteti i zgjedhjeve apo të ketë ndikuar në rezultatin zgjedhor për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut”, thuhet nga PZAP-i.
Më poshtë e keni arsyetimin e plotë të PDK-së që e parashtroi në PZAP.
“Në datë 11.11.2025, PZAP-i, ka pranuar ankesë nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë me të cilën thekson se me këtë ankesë, paraqesim parregullsitë e konstatuara gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut, dhe se thelbi i kësaj ankese lidhet me faktin se fletëvotimet janë gjetur të përziera ndërmjet klasave dhe shkollave të ndryshme, pra nuk është respektuar përputhja me kodet unike të vendvotimeve. Kjo ka rezultuar në situata ku fletëvotimet të destinuara për një vendvotim janë gjetur në kutitë e një vendvotimi tjetër, brenda të njëjtës qendër votimi apo edhe në qendra të tjera votimi, konkretisht, rastet e konstatuara janë: në vendvotimin 1103/04 është gjetur një fletëvotim i vendvotimit 1102/10; në vendvotimin 1102/11 është gjetur një fletëvotim i vendvotimit 1102/10 (gjithashtu, fletëvotimi është i vulosur dy herë që tregon për “trenin bullgar”); në vendvotimin 1102/6 është gjetur një fletëvotim i vendvotimit 1102/05, fletëvotimi i Qendrës së Votimit 1102 të vendvotimit numër 5 (Shkolla “Abdullah Shabani”) është hasur në vendvotimin numër 6 të njëjtës Qendër Votuese; fletëvotimi i Qendrës së Votimit 1102 të vendvotimit numër 1 (Shkolla “Abdullah Shabani”) është hasur në vendvotimin numër 4 të Qendrës Votuese 1103 (Universiteti “Isa Boletini; fletëvotimi i vendvotimit numër 13 të Qendrës Votuese 1101 (Shkolla “Mixheni”) është hasur në kutinë e 1 vendvotimit numër 5 të Qendrës Votuese 1102 (Shkolla “Abdullah Shabani”); fletëvotimi i Qendrës së Votimit 1102 të vendvotimit numër 1 (Shkolla “Abdullah Shabani”) është hasur në vendvotimin numër 5 të njëjtës Qendër Votuese; fletëvotimi i Qendrës së Votimit 1102 të vendvotimit numër 4 (Shkolla “Abdullah Shabani”) është hasur në vendvotimin numër 5 të të Qendër Votuese; fletëvotimi i vendvotimit numër 5 të Qendrës së Votimit 1103 (Universiteti “Isa Boletini”) është hasur në kutinë e vendvotimit numër 1 të Qendrës Votimit1104 (Shkolla “Ismail Qemali”)”, thuhet në vendim.
Për të parë vendimin e plotë të PZAP-it klikoni këtu.











