OKB nis misionin për të hetuar masakrat në Sudan

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi këtë të premte, 14 nëntor, se do të ngrejë një mision të pavarur verifikimi për të hetuar masakrat e raportuara në qytetin El-Fasher të Sudanit.

Shefi i të Drejtave të Njeriut në OKB, Volker Türk, në një takim urgjent në Gjenevë, kritikoi ashpër mungesën e veprimit ndërkombëtar përballë luftës shkatërrimtare civile në Sudan.
“Ka pasur shumë shtirje dhe performancë, dhe shumë pak veprim”, tha ai. “Bota duhet të ngrihet kundër këtyre mizorive një shfaqje e mizorisë së zhveshur që përdoret për të nënshtruar një popull të tërë.” Türk paralajmëroi gjithashtu të gjithë ata që “ushqejnë dhe përfitojnë” nga lufta.

Mbi 150 mijë njerëz raportohet të jenë vrarë dhe rreth 12 milionë janë detyruar të braktisin shtëpitë. Ekspertët e misionit të OKB-së do të synojnë edhe identifikimin e autorëve të krimeve për t’i vënë ata para drejtësisë. El-Fasher u pushtua muajin e kaluar nga forcat paraushtarake Rapid Support Forces (RSF), pas një rrethimi 18-mujor. Qyteti ishte bastioni i fundit në Darfur i mbajtur nga ushtria sudaneze dhe aleatët e saj.

RSF akuzohet për sulme të drejtuara ndaj komuniteteve jo-arabe në El-Fasher dhe në zona të tjera të Darfurit, akuza që grupi i mohon. Konflikti, i cili ka hyrë në vitin e tretë, është shoqëruar nga një sasi e madhe pamjesh dhe videosh tronditëse të mizorive, shpesh të filmuara nga vetë autorët dhe të përhapura online. Studiuesit thonë se kjo provë digjitale do të jetë pjesë e hetimeve.

Mona Rishmawi, anëtare e misionit hetimor të OKB-së për Sudanin, tha për BBC se gjendja aktuale në Darfur është “më e rëndë se gjenocidi i Janjaweed 20 vite më parë”. Ajo theksoi se tanimë sulmet nuk kufizohen vetëm në fshatra, por synojnë qytete të tëra dhe kampe refugjatësh me qindra mijëra banorë.
“Ka pasur vrasje masive, përdhunime, tortura, zhdukje dhe persona të humbur gjithçka mbi sfondin e një rrethimi dhe urie 18-mujore,” u shpreh ajo.

Një deklaratë e përbashkët e G7-s këtë javë dënoi përshkallëzimin e dhunës, duke e cilësuar situatën si “kriza më e madhe humanitare në botë”. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në samitin e G7-s kërkoi veprim ndërkombëtar për ndalimin e furnizimit me armë të RSF-së, duke kritikuar edhe disa shtete që dyshohet se e ndihmojnë grupin.

SHBA-ja është pjesë e grupit “Quad” për zgjidhjen e krizës, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjiptin dhe Arabinë Saudite, që mbështesin qeverinë ushtarake të Sudanit. Blloku ka propozuar një armëpushim humanitar tre-mujor, të ndjekur nga një ndërprerje e përhershme e luftimeve dhe një tranzicion nëntëmujor drejt qeverisjes civile.

Rubio, duke iu referuar gjerësisht dyshimeve për mbështetjen e RSF-së nga EBA, deklaroi: “Ne e dimë kush janë palët që përfshihen në furnizimin me armë… Prandaj janë pjesë e Quad-it.”
EBA, që mohon vazhdimisht akuzat, reagoi duke u shprehur e “tronditur” nga sulmet e RSF-së ndaj civilëve në El-Fasher dhe akuzoi ushtrinë sudaneze për “taktika urie, bombardime të pakontrolluara” dhe përdorim të supozuar të armëve kimike, akuza që ushtria i ka mohuar.

RSF gjithashtu lëshoi një deklaratë të ashpër, ku denoncoi “deklaratat e njëanshme” kundër saj dhe akuzoi ushtrinë për refuzimin e armëpushimit. Armë, kontrabandë dhe akuzat për ndërhyrje të huaj. Vetëm një pjesë e vogël e banorëve ka mundur të largohet nga El-Fasher, ndërsa pamje satelitore tregojnë grumbuj trupash dhe gjurmë masakrash në tokë. Ekspertët ndërkombëtarë thonë se furnizimi me armë ka luajtur një rol kyç në përshkallëzim.

Amnesty International ka dokumentuar përdorimin e armëve të prodhuara në Serbi, Rusi, Kinë, Turqi, Jemen dhe EBA në territorin sudanez. Sipas një raporti të rrjedhur të OKB-së, armët kontrabandohen kryesisht përmes EBA-së, më pas në Çad dhe në Darfur. Po ashtu, RSF akuzohet se shet ar ilegal në tregjet e Emirateve, akuzë që EBA e mohon.

Rubio paralajmëroi se ndihma për RSF “nuk vjen vetëm nga vendet që e financojnë, por edhe nga ato që lejojnë përdorimin e territorit të tyre për transportimin e armëve”. Ai përmendi gjithashtu përfshirjen e mundshme të Iranit në furnizimin me armë të ushtrisë sudaneze, pretendime që të gjitha palët i kanë mohuar.

Dy javë më parë, edhe qeveria britanike u kritikua nga ligjvënësit e saj pas pretendimeve se armë britanike mund të kenë përfunduar në duart e RSF-së. Ministrja e Jashtme Yvette Cooper tha se Britania ka “kontrolle shumë të forta” mbi eksportin e armëve dhe se çështja merret “jashtëzakonisht seriozisht”.

Në Darfur është në fuqi një embargo armësh e OKB-së që nga viti 2004, por ajo nuk është zgjeruar në pjesët e tjera të vendit, pavarësisht thirrjeve të organizatave të të drejtave të njeriut.