Pensionistët sot marrin 30 euro shtesë, por ‘’hatërohen’’ pse nuk u rriten kontributet

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar sot se pensioni bazik, i cili në fillim të mandatit ishte 90 euro në muaj, nga sot do të arrijë në 150 euro, duke shënuar një rritje prej 60 eurosh ose 67%.

Ai gjithashtu njoftoi se janë rritur mbështetjet për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe pensionet invalidore dhe familjare.

Në lidhje me rritjen e pensioneve bazike, kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Sherif Kastrati, tha për Front Online se çdo rritje është e mirëseardhur për pensionistët, por diferencimi që është bërë sipas tij është pak i padrejtë.

“Çdo rritje, qoftë e vogël, qofte më e madhe është e mirëseardhur për pensionistin, por është bërë një diferencim, është rritë vetëm për pensionistët që e kanë pensionin 120 euro e për të tjerët kontributdhënësit nuk ka rritje, pak është keq”, tha ai.

Megjithatë, Kastrati, tha se e falënderojnë për këtë rritje dhe se 150 euro është e mirëseardhur për ata.

“E falënderojmë për këtë rritje, mirëpo nuk është dashtë me i dallu pensionistët, 150 euro tash është e mirëseardhur”, tha Kastrati./Front Online