Punësimi i Shpat Bajgorës, djalit të drejtorit të QKMF-së Bajram Bajgora, ka ngritur dyshime për favorizime brenda këtij institucioni. Kjo pasi Bajram Bajgora njihet për mbështetjen e tij të hapur ndaj Vetëvendosjes dhe pushtetit të Shpejtim Bulliqit, ndërsa edhe vetë emërimi i tij në pozitën e drejtorit ishte shoqëruar me dyshime për ndërhyrje politike. Insajderi sjell detajet.
Komuna e Podujevës me 13 gusht të këtij viti kishte hapur konkurs për pozitën: Mjek/e i/e përgjithshme – 5 pozita në QKMF, në këtë komunë.
Ndërkohë me datën 22 tetor janë shpallur rezultatet, me emrat e kandidatëve të pranuar.
Në pesë pozitat e para janë renditur kandidatët me mbi 90 pikë.

Në listën fituese, i dyti i renditur është kandidati Shpat Bajgora me 95.56 pikë.
Shpat Bajgora është djali i drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bajram Bajgorës.

Bajram Bajgora, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, e ka shfaqur hapur simpatinë dhe mbështetjen ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe pushteti të Shpejtim Bulliqit që nga viti 2021.
Në nëntor të vitit 2021, Bajgora kishte ndarë një postim për fitores e Vetëvendosjes në Podujevë, ku shfaqet përkrahë Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të kësaj komune Shpejtim Bulliqit.
“Në festën e madhe të fitores me Kryeministër Albinin, Kryetar Shpejtimin, për shpëtimin, ndryshimin dhe zhvillimin e Llapit. Na priftë e mbara!”, kishte shkruar Bajgora, duke e treguar hapur përkrahjen për partinë në pushtet.

Jo vetëm, paraqitjet e Bajgorës përkrahë Shpejtim Bulliqit, nuk kanë munguar edhe gjatë kohës sa ka qenë Ushtrues Detyre në këtë pozitë.


Insajderi në vitin 2023 kishte raportuar edhe dyshimet e ardhjes së Bajgorës në këtë pozitë.
Kur ishte hap konkursi për Drejtor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Podujevës, ishte anulua duke u bërë vetëm një ndryshim.
E gjitha kjo dyshohej se u bë që kushtet t’i përshtaten aktivistit të Vetëvendosjes, Bajram Bajgorës, kandidat për këtë pozitë.
Gazeta Insajderi, kohë më parë ka raportuar lidhur me punësimet familjare në QKMF-në e Podujevës, ku ishte punësuar Fatime Blakqori (mbiemri i vajzërisë) në pozitën infermiere mami në QKMF Podujevë, e cila njëkohësisht është kunata (gruaja e vëllaut) të Bajram Bajgorës.
Gazeta Insajderi, ka provuar të kontaktojë me drejtorin e QKMF-së në Podujevë, Bajram Bajgorën, si dhe me Drejtorinë e Shëndetësisë në këtë Komunë, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigjje nga asnjëra palë.
Insajderi poashtu ka provuar të kontaktojë edhe me kandidatin e zgjedhur Shpat Bajgorën, për mundësinë e ndonjë konflikt interesi, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.











