Problemet në zgjedhjet nacionale, fletëvotimet në balotazh: Edhe çka duhet të ndodhë që Radoniqi i KQZ-së të shkarkohet?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës po përballet me një krizë serioze të besimit. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur para se të vinte në krye të këtij institucioni Kreshnik Radoniqi, i cili ishte përzgjedhur nga presidentes e Kosovës, Vjosa Osmani.

Dy proceset e fundit zgjedhore, zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit dhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, janë përcjell me probleme të shumta.

Publikimi problematik i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe shfaqja e problemeve me numra serik të qindra fletëvotime në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave kanë lëkundur rënd besimin e opinionit në KQZ.

Si rezultat i problemeve të disa fletëvotimeve në raundin e dytë të zgjedhjeve në Mitrovicë të Jugut, PDK-ja është ankuar në PZAP, duke kërkua rivotim në këtë qytet.

Por, sikur të mos mjaftonin këto dy tema të ndjeshme, mbarëvajtja e mbledhjeve të KQZ-së janë dështim dhe degradim i vazhdueshëm.

Mbledhjet e KQZ-së, nga institucion që duhet të përçojë mesazhet e rendit zgjedhor, janë shndërruar në sallë zhurme e degradimi.

Pikërisht, këto dështime të mëdha që lëkundin besimin e qytetarëve në KQZ dhe në zgjedhjet në përgjithësi, kanë filluar të zgjojnë reagimet që kryetari i KQZ-së, Radoniqi, të marrë përgjegjësinë që i takon duke u dorëhequr nga drejtimi i një institucioni që s’ka arritur ta menaxhojë siç duhet.

Një gjë të tillë e ka kërkuar ish-anëtari i KQZ-së, Fadil Maloku.

Në një prononcim për Klan Kosova, ai ka thënë se dorëheqja morale duhet të ishte e rrugës.

“Fakti që po dyshohet, por nëse vërtetohet unë mendoj që do të ishte e udhës, si akt të paktën moral, kryetari të japë dorëheqje. Shkarkimi pastaj është në kompetencë dhe në diskrecion të Presidentes”, ka thënë Maloku.

Kritika ndaj Radoniqit janë dhënë edhe më herët kur KQZ dështoi keq me serverin e rezultateve.

Në 5 mars të këtij viti, ish – kryeshefi i KQZ-së, Enis Halimi, ishte shfaqur kritik dhe kishte thënë se presidentja Vjosa Osmani ka pasur informata se kryesuesi i tanishëm i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, “ka qenë i painteresuar për procesin zgjedhor”, por nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Halimi kishte përmendur edhe “kohën e artë” të KQZ-së, 2013 – 2020, kur ky institucion vlerësohej maksimalisht në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Ky është rezultat i parregullsive të shumta, i degradimeve të shumë proceseve teknike në Sekretariatin e KQZ-së që janë evidentuar edhe më herët me raporte të ndryshme. Në periudhën 2013-2020 në secilin raport vendor dhe ndërkombëtar administrimi i procesit zgjedhor ka shënuar ngritje, tani kemi një tjetër raport që do të raportohet si mos më keq në raportet qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare… Nga Presidentja e poshtë, kemi parë degradimin e mbledhjeve në KQZ, ka pasur indicie që Presidentja ka pasur informata për qasjen joserioze të vetë kreut të KQZ-së dhe nuk çan kokën për procesin zgjedhor. Ai nuk ka adresuar me kohë proceset teknike sepse ka pasur ndryshime në rregullativën zgjedhore dhe nuk e ka shoqëruar ai dhe gjithë KQZ-ja, për çka presidentja e ka përgjegjësinë e tyre”, kishte thënë Halimi.

Pavarësisht kritikave për dy procese e fundit zgjedhore, presidentja Osmani ka hedhur.

Në qershor të vitit 2021, presidentja Vjosa Osmani kishte emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Një gjë të tillë e kishte bërë pasi kishte shkarkuar kryetaren e deritanishme të KQZ-së, Valdete Daka.