“Turistët-snajperë” që kryenin vrasje në Sarajevë – hetimi që po trondit Evropën

Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj italianëve që dyshohet se i kanë paguar anëtarët e ushtrisë serbe të Bosnjës për udhëtime në Sarajevë, në mënyrë që ata të vrisnin qytetarë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.

Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe zjarri me snajper mes viteve 1992 dhe 1996 në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.

The Guardian kishte raportuar se snajperistët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, sepse ata vrisnin njerëz në rrugë, përfshirë fëmijë, rastësisht, sikur të ishte ndonjë videolojë.

Kameramani, Sylejman Kllokoqi për “Kosova Today” tregon se kur ndodhin më shpesh këto sulme në atë kohë.

“Kjo është folur në Sarajevë, e kemi ditur që vijnë nga Beogradi, por nga informatat që unë i kam marr në Sarajevë, në përgjithësi kemi menduar se ata janë rusë dhe serbë, sidomos kjo gjueti ka ndodhur në vikende”, tha Kllokoqi.

Kllokoqi, po ashtu shtoi se një sulm të tillë e ka përjetuar edhe vet, derisa ishte duke marr ujë nga një burim i ujit në Sarajevë.

Visar Kryeziu, thotë se për këto raste, është dashur të pritet 30 vjet që të hapet një hetim i mirëfilltë.

Pos tjerash, ai tha se ngjarje e tillë ka mundur të ndodhte edhe në Kosovë, në vitet e ’90-ta.