Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se ankesa e PDK-së lidhur me parregullsitë ne fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut është në proces të shqyrtimit.
Për RTV21, ky institucion tha se vendimin ndaj kësaj ankese do ta merr brenda afatit ligjor, transmeton Klankosova.tv.
“PZAP-i ka pranuar ankesën me nr. ZL.Anr.439/2025, që ka të bëjë me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut. PZAP-i, është në proces të shqyrtimit dhe brenda afatit të paraparë ligjor për të njëjtën do të vendos”, tha PZAP-ja.
Të pyetur nëse ka ndonjë ankesë nga ndonjë parti tjetër për fletëvotime me numra të ndryshëm serik në ndonjë komunë tjetër, PZAP-ja tha se nuk kanë ankesa tjera.
Përveç kësaj, PZAP-i tha se ka pranuar edhe ankesën me nr. ZL.Anr.440/2025, e cila ka të bëjë me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit në Komunën e Drenasit. PDK-ja tri ditë më parë kishte dorëzuar ankesë në PZAP për fletëvotimet me numra të ndryshëm serik në Mitrovicë të Jugut me pretendimet për manipulim votash në këtë komunë.
Ndryshe, të hënën e 10 nëntorit, në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, u raportua për parregullsi të mëdha, për çka dhe u ndërpre numërimi atje.











