Ujësjellësi e ndaloi ujin natën pa paralajmërim, arsyet i publikoi një ditë më vonë- Banorët të revoltuar në Fushë Kosovë

Banorët e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe disa lagjeve të Prishtinës u zgjuan sot me një “surprizë” nga Ujësjellësi “Prishtina”, me mungesën e ujit dhe mungesën totale të informacionit. Uji ishte ndërprerë që mbrëmë rreth orës 23:00, por komunikata zyrtare u publikua vetëm sot paradite, atëherë kur qytetarët tashmë kishin kaluar orë të tëra pa asnjë sqarim, shkruan Demokracia.com.

Komunikata e Ujësjellësit thotë se “Për shkak të turbullirës së krijuar në kanalin e Ibër Lepencit( si shkak i punimeve teknike në kanal) nga mesnata po kemi problem në ITU Shkabaj. Si shkak i kësaj turbullire është çrregulluar furnizimi me ujë në disa pjesë të Fushë Kosovës, Obiliqit, Drenasit dhe mund të ketë ndikim edhe në disa pjesë të Prishtinës. Aktualisht ITU Shkabaj nuk është duke trajtuar ujë. Ndërsa në ITU Albanik dhe Badoc jemi duke punuar me kapacitete maksimale. Mbeteni të njoftuar!”

Por për banorët, arsyetimet e vonuara vlejnë pak. Ata thonë se njoftimi ka ardhur të paktën 12 orë vonë dhe se shumë prej tyre nuk kanë parë asgjë deri sot.

“Çka na duhet njoftimi sot paradite, kur dje në orën 11 të natës mbetem pa ujë? A s’kanë obligim me lajmëru paraprakisht?”, pyet i revoltuar Bekim Merovci, banor i lagjes “Dardania e Re” në Fushë Kosovë. Sipas tij, një kompani që menaxhon një monopol jetik “nuk guxon të sillet sikur me qenë pronë private”.

Të tjerë thonë se komunikata është parë nga disa banorë, por se aty nuk ka asnjë afat se kur pritet kthimi i ujit, gjë që i ka detyruar të ikin dyqaneve për ujë të ambalazhuar.

“E pashë njoftimin, po çka me bo me të? S’thuhet asnjë fjali se kur kthehet uji. A pritna krejt ditën në mëshirë të fatit? U detyrova me ble ujë, se s’kisha as me gatu, as me la fëmijët,” thotë Arta Gashi, nënë e dy fëmijëve.

Më të ashpër në reagim janë ata që thonë se nuk kanë parë fare njoftim, as dje, as sot në mëngjes. Për ta, menaxhimi i situatës është “skandaloz”.

“Deri para pak minutash s’e dija as pse s’ka ujë. Facebook nuk e lexon secili, e SMS nuk dërgojnë, e-mail jo, faqja s’përditësohet. Si mendon Ujësjellësi me na njoftu, me telepati?”, thotë Halim Hoxha, banor i Fushë Kosovës.

Sipas tij, një kompani publike duhet të ketë një minimum protokollesh komunikimi dhe jo të veprojë me improvizim.

Në rrjete sociale, Ujësjellësi “Prishtina” po përballet me valë kritikash nga qytetarë që thonë se kjo nuk është hera e parë kur komunikimi vjen me vonesë dhe në mënyrë të paqartë. Shumë komentues kërkojnë transparencë, afate të sakta dhe njoftime paraprake. “Zoti ftyren jau marroft,prej mbrémé ora 23 nuk ka ujë,idiot e sharllatan,té pa kurrizor,arsyetim idiotesk,te ne ska prokurori se mandej”, ka shkruar një qytetar aty. “Qet sms po e bëni kopje edhe e keni Mësuar përmendesh po leni kto pallavra pa kuptim jo turbëllira jo ashtu jo kshtu e keni tepru me qdo gjë për sa i përket ksaj pjese turp turp turp”, shkruan një tjetër. “Qe sa vite problemi i njejt, qka na intereson neve, ujin e pagujm me rregull e sherbimi eshte zero, pse nuk mendoni per kyqje alternative kur ka ksi ”turbullira” edhe kur ju pysim thoni qe se dim kur rregullohet, gjithe kjo papergjegjsi eshte e tmerrshme”, është një postim tjetër e radha e tyre është shumë e gjatë.

Deri në orët e mesditës, Ujësjellësi nuk ka dhënë asnjë informacion se kur pritet normalizimi i furnizimit me ujë. Banorët mbeten në pritje, një pjesë me shishe në duar, e një pjesë me nerva të tendosura. /Demokracia.com/