Qeveria e Zvicrës ka nisur procedurat për lëshimin e letërnjoftimeve të reja, të cilat do të jenë biometrike.
Në të ardhmen, zviceranët do të kenë mundësinë të zgjedhin midis dy varianteve.
Letërnjoftimi i ri pritet të lansohet në fund të vitit 2026. Ashtu si pasaporta zvicerane, letërnjoftimi do të jetë i pajisur me një çip që ruan dy shenja gishti dhe një foto të fytyrës. Kjo rrit ndjeshëm mbrojtjen nga abuzimet.
Identiteti biometrik do të jetë i disponueshëm ekskluzivisht në zyrat kantonale të pasaportave.
Megjithëse teknologjia është e re, letërnjoftimi biometrik kushton 70 franga, po aq sa karta aktuale pa çip.
Në të ardhmen, qytetarët do të mund të zgjedhin midis dy varianteve të letërnjoftimit: versioni biometrik rekomandohet për udhëtime në BE, për shkak se vendet e BE-së që nga viti 2021 lëshojnë vetëm këto lloje identitetesh.
Ata që përdorin letërnjoftimin vetëm në Zvicër mund të vazhdojnë të marrin variantin që s’ka të dhëna biometrike.
Letërnjoftimet e lëshuara më parë që nuk janë biometrike mbeten të vlefshme për udhëtime në BE deri në skadimin e tyre, maksimalisht dhjetë vjet. Hyrja me letërnjoftim zviceran lejohet edhe në Kosovë. /












