Zelensky: Askush nuk po i detyron ushtarët tanë të vdesin për rrënojat

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka kërkuar aleatëve në Bashkimin Evropian të kapërcejnë përçarjet e tyre mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse, duke thënë se sigurimi i burimeve të reja financiare është thelbësor për ekonominë e shkatërruar nga lufta të Ukrainës.

“Shpresoj se do ta marrim këtë vendim. Përndryshe, do të na duhet të gjejmë një alternativë, është çështje mbijetese. Kjo është arsyeja pse na duhet vërtet. Dhe unë po mbështetem te partnerët tanë”, tha Zelensky në një intervistë me Bloomberg

Ai pranoi se Ukraina po përballet me një situatë “shumë të vështirë” në qytetin Pokrovsk në rajonin e Donetskut, ku forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin pas muajsh luftimesh intensive. 

“Askush nuk po i detyron ata të vdesin për hir të rrënojave. Unë do t’i mbështes ushtarët tanë, veçanërisht komandantët që janë atje. Gjëja më e rëndësishme për ne janë ushtarët tanë”, theksoi ai. 

Bashkimi Evropian ka shtyrë deri në dhjetor një vendim mbi një propozim për të përdorur asetet e ngrira ruse për një “kredi dëmshpërblimi” prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën.

Ndërkohë, Rusia po bën përparim të ngadaltë në fushën e betejës, duke sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës për të minuar ekonominë e saj ndërsa afrohen muajt e dimrit