Prokurimi publik në Kosovë shpesh duket se ka boshllëqe që lejojnë pjesëmarrjen dhe madje edhe fitimin e tenderëve nga persona që përballen me akuza ose aktakuza për keqpërdorime dhe mashtrime në prokurime të mëparshme. Kjo situatë ngre shqetësime serioze për transparencën, duke treguar se historiku ligjor i operatorëve ekonomikë shpesh nuk merret parasysh nga autoritetet kontraktuese, shkruan Demokracia.com.
Ndërkohë që Anil Damka, pronar i kompanisë KSF MAJOR SH.A., përballet me akuza për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, kompania e tij ka dalë fituese në një tender të organizuar nga Ministria e Financave, drejtuar nga Hekuran Murati.
Tenderi ka të bëjë me “Sigurimin Fizik të Objekteve të MFPT-së tek Grandi, DSS, DASPKL (kategoritë e Luftës) si dhe Zyret e Pensioneve nëpër Regjione”, me një vlerë prej 78,480.00 euro dhe kohëzgjatje 12 muaj.


Kjo zhvillim vjen pas disa viteve kur kompania MEB L.L.C, e lidhur me familjen Damka, ishte nën hetim. Sipas një aktakuze të përpiluar më 21 nëntor 2022, Anil Damka dhe Shefçet Damka akuzoheshin për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh në tenderë të vitit 2021, duke paraqitur kontrata fiktive dhe dokumente të rreme për të marrë kontrata me institucione të Kosovës.
Kompania MEB L.L.C, e kontraktuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për sigurim fizik në objektin ish-“Gërmia”, ka ndryshuar disa herë pronarët dhe përfaqësuesit e kompanisë.
“Betimi për Drejtësi”, kishte arritur të sigurojë një aktakuzë aktive, të Shefçet Damkës dhe djalit të tij Anil Damka lidhur me keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 21 nëntor 2022 thuhet se i akuzuari Anil Damka, pronar i kompanisë “MEB” LLC në bashkëkryerje me të akuzuarin Shefçet Damka-përfaqësues i kompanisë, me vetëdije kanë shkel rregullat e prokurimit publik duke paraqitur dokumentacion të rrem, në atë mënyrë që kanë përpiluar kontrata fiktive kinse të lidhura mes kompanisë “MEB” L.L.C dhe kompanive të tjera “të cilat i kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021 të cilat referenca nuk janë fare të deklaruara në qarkullimin e Administratës Tatimore të Kosovës sipas procedurave fatura shitje-blerje dhe në Bankën Kombëtare Tregtare, si dhe kanë falsifikuar një dokument kinse të lëshuar nga BKT të cilin dokument e kanë përdorur në procesin e tenderimit, me ç’rast të njëjtit kanë vu në lajthim autoritetet kontraktuese dhe kanë arritur që të nënshkruajnë tri kontratat me Institucionet e Republikës së Kosovës.
Shefçet Damka, thoshte në Maj të vitit 2025 për këtë rast nuk ka bazë për dënim.
“Kjo është një shpifje prej konkurentave tonë. Në Gjykatë jena qe 3 vite, nuk mundet me përfundu lënda, nuk ka kurrfarë dëshmi as Prokuroria e as Gjykata. Anilin e kanë heq prej sistemi krejt, se është i pafajshëm se ka qenë pronar. Unë kam thënë në atë periudhë 2020-2021 ka qenë ky, atë periudhë ka qenë pandemia, unë punojsha dhe Aneli Gjykata e ka heq të pafajshëm e për mu hala është duke shiku se çka me bë me neve, është në procedurë, por nuk ka ku shkon. Në qoftë se ka drejtësi, në qoftë së ka dinjitet, nuk mundesh po thotë për këtë letrën është fals, ani tregoma ku është origjinali, qysh erdh ky i falsifikum, tregoma origjinalin nuk po mundet me ma tregu”, ishte shpreh ai,
Për këtë aktakuzë “Betimi për Drejtësi”, kishte provuar të marrë një qëndrim edhe nga Anil Damka, por ai nuk është përgjigjur.
Në anën tjetër, Shefçet Damka, ka 11 aktgjykime të plotfuqishme në Gjykatën Themelore në Prizren. Bazuar në të dhënat që ky institucion ka përcjellë tek “Betimi për Drejtësi”, një aktgjykim është për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”, me dënim me kusht. Për vepër penale të njëjtë, Damka ka një aktgjykim tjetër, ku po ashtu ëështëë dënuar me kusht.. Për këtë vepër penale ka edhe 5 aktgjykime të tjera, e që dënimet kanë qenë me gjoba nga 200-400 euro.
Damka, është dënuar me 2.700 euro në një rast tjetër, për veprën penale “Shmangia nga tatimi” dhe me 2.500 euro në një rast tjetër për veprën e njëjtë.
Po ashtu, për “Falsifikim të dokumenteve” me gjobën 400 euro dhe “Heqja apo Dëmtimi i vulave Zyrtare” me gjobë 200 euro.
Isa Hasani, thekson se Autoritet Kontraktuese duhet të jenë të vëmendshëm në përzgjedhjen e operatorëve ekonomik.
“Mundësitë te Autoriteti Kontraktues, ka hapësirë bukur të madhe ligjore Autoriteti Kontraktues. Nëse e di që një kompani x e ka mashtru, nuk i ka kry punët, u lidh kontrata dhe si ka kry punët ai Autoritet duhet me shiku që nëse ai aplikon për së dyti duhet me pasë parasysh historikun e asaj kompanie, duhet me pa që në rastin e përzgjedhjes mos me zgjedhe kompaninë që i ka shkaktu probleme”, ka thënë u.d kryetari i OSHP-së.
Megjithatë, hapësira e destinuar për funksione zyrtare është kthyer në përfitime të paligjshme dhe në kundërshtim me qëllimin e saj në Ministrinë e Infrastrukturës. /Demokracia.com/
Arrestohen familjarët e ministrit të Kurtit që fituan disa tenderë nga Qeveria










