Prokuroria Speciale ka ngritur gjatë kësaj jave aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari, dy zyrtarëve të kësaj ministrie, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dhe ndaj afaristit Ridvan Muharremi.
Në shkresën e Prokurorisë, janë listuar edhe dëshmitarët që do të duhet të dëgjohen përgjatë procesit gjyqësor, e ku përfshihet edhe emri i kryeministrit në detyrë dhe kreut të VV-së, Albin Kurti.
Kjo pasi që Prokuroria konsideron se Kurti ka qenë në dijeni për veprën, kryesit dhe për rrethanat e rëndësishme të kësaj çështje penale, meqë edhe ka nënshkruar dy vendime, për ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e rezervave dhe për përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik të këtij procesi.
“Referuar dëshmitarit Albin Kurti, prokurorët e rastit kanë vlerësuar se cilët persona do të mund të dëgjoheshin si dëshmitar. Në kuadrin e personave të cilët do të thirreshin që të dëgjoheshin si dëshmitar, ka qenë edhe Albin Kurti, kryeministër i Kosovës në kohën kur dyshohet të jetë kryer vepra penale. Arsyeja se pse është vlerësuar që ky person të dëgjohet si dëshmitar në këtë çështje penale, ka qenë fakti se ai ka pasur njohuri për veprën, kryesit si dhe për rrethanat e rëndësishme të kësaj çështjeje penale, marrë parasysh faktin se ka qenë në dijeni për procesin e furnizimit me mallra për rezervën shtetërore, ndër të tjera edhe përmes nënshkrimit të 2 (dy) vendimeve në cilësinë e kryeministrit që lidhen me ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e këtyre mallrave si dhe për përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik të këtij procesi”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë të siguruar nga Gazeta Express.
Prokuroria Speciale ia ka sqaruar gjykatës se në vazhdimësi e kishin ftuar Kurtin për t’u paraqitur si dëshmitar, por që kishte refuzuar të tri herët pa ndonjë arsyetim.
“Përveç thirrjeve të dërguara, prokurorët duke vlerësuar refuzimin e dëshmitarit Albin Kurti për t’u paraqitur në prokurori për të dhënë dëshminë, gjë që përbën detyrim ligjor, kishte kërkuar nga gjykata lëshimin e urdhrave për ta detyruar dëshmitarin që të paraqitet në prokurori. Mirëpo, edhe përkundër lëshimit të dy urdhrave si dhe shqiptimit të një gjobe, dëshmitari nuk ishte paraqitur në prokurori”, thuhët në dokument.
Si rezultat i këtij refuzimi, Prokuroria Speciale vlerëson se dëshmia e Albin Kurtit ësht ëe rëndësishme për të sqaruar disa rrethana për këtë çështje penale.
“Prandaj, prokurorët vlerësojnë se dëshmia e dëshmitarit është relevante për sqarimin e disa rrethanave për çështjen penale, andaj edhe kanë propozuar që të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor”, thekson dokumenti./GazetaExpress/










