​Fillon punën Komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve të Mitrovicës së Jugut

Të enjten paradite, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, ka filluar punën një Komision i përbërë nga zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të vlerësojë fletëvotimet e zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut.

Themelimi i këtij komisioni nga KQZ erdhi pasi gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në këtë komunë janë hasur fletëvotime që kodi i tyre nuk përputhej me vendvotimin të cilit duhej t’i takonin.

Kjo situatë ka zgjuar dyshime dhe dilema të mëdha për integritetin e procesit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve në këtë komunë, i cili u mbajt më 9 nëntor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar, fillimin e punës së këtij komisioni.

“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Planifikohet që ky Komision, të përgatis një raport dhe të njëjtin ta dorëzojë jo më vonë se më 14 nëntor. Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, tha Elezi.

Elezi tha se puna e këtij komisioni do të jetë edhe në funksion të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në këtë institucion, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ishte në garë me Lëvizjen Vetëvendosje, ka paraqitur ankesë dhe ka kërkuar rivotim me arsyetimin se është cenuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.

“Po ashtu, puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me një ankesë të parashtruar në këtë institucion për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtutjeshëm të situatës së krijuar”, tha Elezi.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka afat që të vendosë për ankesën e PDK-së deri në fundjavë./kp