Mbahet sot samiti i parë ndërqeveritar mes Italisë dhe Shqipërisë në Romë

Italia dhe Shqipëria do të zhvillojnë sot një samit të përbashkët në Romë. Pala italiane shpjegon se organizimi i një samiti ndërqeveritar me Tiranën shërben për të mundësuar një bashkëpunim cilësor dypalësh, përmes planifikimit që do të përfshijë një dimension më të gjerë, më të strukturuar dhe strategjik të marrëdhënieve dypalëshe.

Marrëveshja kryesore që pritet të nënshkruhet, është hartuar për të krijuar një kuadër rregullator të qëndrueshëm dhe të strukturuar për zhvillimin e bashkëpunimit. Mbulohen fusha të shumta, nga bashkëpunimi ekonomik dhe infrastrukturor te mbrojtja dhe siguria, nga bashkëpunimi për migracionin te bashkëpunimi për energjinë dhe mjedisin, madje edhe sinergjitë në shëndetësi, inovacion dhe trajnim.

Megjithatë një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit që Italia dhe Shqipëria po marrin përsipër në zonë, si një qendër thelbësore për lidhjen e energjisë dhe infrastrukturës për Evropën. Ndër projektet prioritare është Korridori VIII Evropian, i cili synon të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi.

Mediat italiane shkruajnë se marrëveshjet teknike do të përqendrohen në rritjen e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe shëndetësisë. Ato do të trajtojnë gjithashtu ndërtimin e kapaciteteve në mbrojtjen civile, mbështetjen për bizneset e vogla dhe të mesme, luftën kundër trafikut të drogës dhe bashkëpunimin në projektimin dhe trajnimin e muzeve.

Italia është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë, me një vëllim tregtar prej mbi 3 miliardë eurosh dhe një pjesë tregu prej 20%. Protokolli Itali-Shqipëri është një nga zgjidhjet inovative për çështjet e migracionit, duke tërhequr interes në rritje si nga Komisioni Evropian ashtu edhe nga Shtetet Anëtare.