Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Mitrovicë e ka konfirmuar faktin se janë shpërndarë fletëvotime të ndryshme në vendvotime tjera.
Postimi i plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Të nderuar qytetarë,
Që nga rifillimi i procesit të numërimit dje në orën 16:00 në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, janë identifikuar gjithsej 75 fletëvotime me shpërputhje në numrin serik. Nga këto, 43 fletëvotime kanë rezultuar të papërdorura, ndërsa 32 të përdorura në procesin zgjedhor. Brenda grupit të fletëvotimeve të përdorura, 17 vota i përkasin kandidatit të PDK-së, 10 kandidatit të LVV-së, ndërsa 5 fletëvotime janë pa numër serik fare. Këto të dhëna janë evidentuar në kuadër të një procesi të rreptë verifikimi pas shqetësimeve të ngritura mbi përputhshmërinë e numrave serikë me vendvotimet përkatëse.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, CETIS, kanë sqaruar se defekti teknik që shkaktoi këto shpërputhje lidhet me një gabim në një nga kokat e printimit, duke përjashtuar çdo mundësi të ndërhyrjes së jashtme apo falsifikimit. Më tej, është konfirmuar se çdo fletëvotim ka qenë i pajisur me elemente sigurie dhe është i gjurmueshëm në sistem. Procesi i numërimit është zhvilluar nën vëzhgim të subjekteve politike dhe institucioneve përkatëse, duke garantuar transparencë dhe integritet zgjedhor. Këto gjetje tregojnë qartë se nuk ka bazë për pretendime të manipulimit apo ndërhyrjeje të qëllimshme në favor të ndonjë subjekti politik.
-Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra Mitrovicë










