Shërbimi sekret shtetëror është implikuar në rastin e Rezervave Shtetërore, sipas dokumenteve hetimore të rastit. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) u ka rekomanduar zyrtarëve të AKI-së që kontratat për Rezervat Shtetërore të klasifikoheshin si sekrete, ndonëse Ligji parasheh blerjen e çdo artikulli të rezervave përmes procedurës së hapur të tenderimit.
Të martën, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj ministres Hajdari, ish-zëvendëssekretarit, Irfan Lipovica dhe drejtorit të Departamentit për Rezerva Shtetërore, Hafiz Gara,
Dosja të cilën e ka siguruar Paparaci dëshmon mënyrën e organizimit dhe procesit të kundërligjshëm për blerjen e Rezervave Shtetërore.
Përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës, i cili sipas Prokurorisë Speciale është i jashtëligjshëm, ministrja Hajdari e zyrtarët tjerë të MINT-it kishin negociuar procesin e blerjes së rezervave shtetërore në mënyrë “sekrete”.
E gjithë kjo lojë thuhet se ishte ‘orkestruar’ nga agjentë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), sipas dëshmive të protagonistëve kryesorë të aferës: zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara.
Në dëshminë e tyre në Prokurorinë e Shtetit, Lipovica e Gara e kanë pranuar që kontratat për blerjen e mallrave për rezervat shtetërore janë klasifikuar si sekrete me vendim të Qeverisë së Kosovës, sipas një rekomandimi që kishin marrë nga agjentë të shërbimit sekret.
Madje, Lipovica e Gara kishin refuzuar të jepnin detaje gjatë marrjes në pyetje në Prokurori me arsyeimin se lënda është klasifikuar si sekret shtetëror.
Ish-zëvendëssekretari i MINT-it, Irfan Lipovica, në deklaratën e tij dhënë në Prokurori ka pohuar se kishte marrë rekomandim nga një zyrtar i AKI-së për të vepruar në mënyrë “sekrete” në procesin e blerjes së Rezerve Shtetërore.
Rekomandimet Lipovica kishte thënë se i kishte marrë në mënyrë verbale.
“Lidhur me çështjen e deklaratës se konfidencialitetit, i njëjti ka pohuar gjithashtu se në menyrë verbale e kishin marrë një rekomandim nga një zyrtarë i AKI-së për të vepruar në atë mënyrë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Ai ka pranuar para prokurorëve se nuk ishte certifikatë të sigurisë, ndonëse për të pasur akces në një “sekret shtetëror” është e domosdoshme pajisja me një certifikatë të tillë.
Përpos tij, Lipovica ka bërë të ditur se asnjëri nga zyrtarët e MINT-it, përfshirë edhe vetë ministrja Rozeta Hajdari nuk kishin poseduar certifikatë të sigurisë.
“I pandehuri përveç tjerash, ka pohuar faktin se asnjë nga zyrtarët e MINT, përfshirë edhe veten e tij dhe ministren Rozeta Hajdari, nuk kishte certifikate sigurie”, thuhet në aktakuzë.

Mungesën e një certifikate të sigurisë e kishte arsyetuar ‘më mirë’ i akuzuari tjetër, Hafiz Gara.
Drejtori i Departamentit për Rezerva Shtetërore, Gara kishte thënë se zyrtarë të AKI-së kishin kërkuar nga ata që të vepronin pa certifikata të sigurisë, për shkak se sipas tyre çështja ishte “urgjente”.
Megjithatë, Gara ka deklaruar se kishin nënshkruar një deklaratë konfidencialiteti lidhur me pasojat e nxjerrjes së sekretit dhe bazuar në këtë kontratë edhe kishte vepruar në procesin e blerjes së rezervave shtetërore.
“I pandehuri kur është pyetur se ai personalisht a posedon certifikate të sigurisë, ka deklaruar se nuk e posedon një të tille, mirëpo thekson se të gjithë personat e përfshirë në këtë proces e kishin nënshkruar një deklarate konfidencialiteti lidhur me pasojat e nxjerrjes së sekretit. Lidhur me çështjen e certifikatës së sigurisë, thekson se kishin pasur takim me zyrtarët e AKI-së, ku kishin kërkuar nga ata që të pajisen me certifikate të sigurisë, mirëpo të njëjtit u kishin thënë se kjo çështje kërkon kohë dhe për shkak se procesi ishte i natyrës urgjente, siç deklaron i pandehuri kishin vepruar mbi bazën e deklaratave te konfidencialitetit”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Me bazën e rekomandimeve të AKI-së që të vepronin në procesin e blerjes së rezervave të shtetit në mënyrë “sekrete” ministrja Hajdari ka refuzuar të deklarohet para prokurorëve speciale.
Më 15 prill të vitit 2024, ministrja Hajdari ishte ftuar për të dhënë deklaratë në lidhje me procesin e blerjes së rezervave shtetërore, por ajo kishte refuzuar të paraqesë mbrojtje apo të përgjigjet në pyetjet e prokurorëve.
Ajo ishte arsyetuar se dosja për të cilën po zhvillohen hetimet është klasifikuar si “sekret” nga Qeveria e Kosovës, me një vendim që sipas saj ndalon publikimin apo diskutimin e detajeve.
Hajdari kishte refuzuar të deklarohet edhe gjatë marrjes në pyetje lidhur me veprën e dytë penale (zbulim i fshehtësisë zyrtare) me të njëjtin arsyetim: “sekret”.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, ky pretendim “nuk prodhon asnjë efekt juridik dhe nuk mund të përdoret si mburojë për refuzim të dhënies së deklaratës”, për shkak se sipas Prokurorisë, vendimi për klasifikimin e blerjes së rezervave shtetërore si “sekret” është marrë jashtëligjshëm.
Hajdari, Lipovica e Gara akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dënimi i së cilës mund të arrijë deri në 10 vjet burgim.
Përpos keqpërdorimit të detyrës, zyrtarët e MINT-it së bashku me ministren Hajdari ngarkohen edhe me veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, vepër kjo që parasheh një dënim me burgim deri në tre vjet.
Në aktakuzën e Prokurorisë është i përfshirë edhe ndërmarrësi, Ridvan Muharremi, i cili akuzohet se po akuzohet nga Prokuroria Speciale për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë veprimet e të pandehurve i kanë shkaktuar dëm prej afërisht 3 milionë eurove buxhetit të shtetit.
Skandali me rezervat e shtetit përbën njëri prej skandaleve më të mëdha të Qeverisë Kurti./Paparaci.com










