Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se e ka zhvilluar një kontroll të papritur në një subjekt që merrej me shitjen e pajisjeve telefonike.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjatë këtij kontrolli janë gjetur dhe konfiskuar 120 telefona celularë të markave “iPhone” dhe “Samsung”, pesë ora të mençura “Apple”, si dhe disa kufje origjinale “Apple”.
“Vlera e përgjithshme e mallit të konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 60,000 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Në fund theksohet se ky operacion është pjesë e angazhimeve të përbashkëta të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në luftimin e të gjitha formave të kontrabandës dhe krimit ekonomik, me qëllim të mbrojtjes së tregut të brendshëm, interesit fiskal të shtetit dhe konkurrencës së ndershme.










