Dyshimet për dallavere me vota në Mitrovicë, Prokuroria u bind me një sqarim të sllovenëve, IKD kërkon hetim të mirëfilltë

Pas shqetësimeve të ngritura nga vëzhguesit dhe komisionerët e PDK-së për parregullsi me një numër fletëvotimesh në Mitrovicën e Jugut, në qendrën komunale të numërimit të hënën në mbrëmje kishin zbarkuar edhe policia dhe prokuroria.

Duke parë gjithë alarmin e ngritur nga Mitrovica për fletëvotime që kishin probleme me numrin identifikues të vendvotimit, KQZ kishte dalë me një komunikate, përmes të cilës njoftonte se janë vënë në kontakt me kompaninë sllovene që ka printuar fletëvotimet dhe se ata s’përjashtojnë mundësinë që të ishte problem teknik nga ana e tyre.

KQZ kishte paralajmëruar se kompania sllovene do të bënte një hetim të brendshmëm dhe do të dilte me sqarim zyrtar për atë se çfarë ka mundur të ndodh me fletëvotimet.

Procesi i verifikimit ishte ndërprerë deri të martën, kur edhe kompania sllovene “CETIS” doli me sqarim duke thënë se gabimi është i kompanisë pas një problemi që ka pasur me një prej kokave të printerit.

Elshani i PDK-së për votat në Mitrovicë: Të gjitha dëshmitë do t’i adresojmë në PZAP

Prokuroria Themelore e Mitrovicës që kishte urdhëruar ndërprerjen e numërimit e verifikimit, me të parë një sqarim të tillë të kompanisë sllovene është bindur dhe ka urdhëruar që të rinis numërimi dhe verifikimi i votave.

Derisa ky proces po vazhdon, komisionerët në vazhdimësi janë duke treguar për fletëvotime të tjera me numra të ndryshëm të identifikimit të cilat po hasen nëpër kuti votimit të shkollave të ndryshme.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë kërkuar hetim të mirëfilltë penal për dyshimet për keqpërdorime në Mitrovicë të Jugut. Sipas tyre veprimet e Prokurorit të Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë ofruar për publikun dëshmi dhe sqarime të besueshme lidhur me dyshimet e ngritura.

IKD gjithashtu ka thënë se përgjigja e kompanisë sllovene s’është e mjaftueshme për të shuar dyshimet për keqpërdorime në Mitrovicë të Jugut.

IKD thotë se “dyshimet e ngritura nuk mund të mbulohen vetëm nga përgjigja e një kompanie private, por duhet të ketë hetim të mirëfilltë penal në lidhje me gjithë procesin e votimit, duke përdorur metodat adekuate shkencore për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me një gabim teknik, që nuk ka ndikuar në rezultat, apo me ndonjë formë të manipulimit të vullnetit të qytetarëve”.