Elshani i PDK-së për votat në Mitrovicë: Të gjitha dëshmitë do t’i adresojmë në PZAP

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se gjatë numërimit të votave në Mitrovicë janë angazhuar për të evidentuar cdo rast të dyshimtë.

“Sapo përfundoi procesi i verifikimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit. Që nga momenti kur u identifikuan fletëvotime me numra serikë që i përkasin vendvotimeve të tjera, jemi angazhuar me të gjitha ekipet e numërimit dhe me vëzhguesit e PDK-së në Mitrovicë për të evidentuar çdo rast të dyshimtë.”

Sipas tij është “jashtëzakonisht shqetësuese” përzierja e fletëvotimeve. Ai shton se të gjitha dëshmitë e mbledhura do t’i dorëzojnë në PZAP dhe se këtë proces do ta cojnë deri në rivotim.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese që ky trend i përzierjes së fletëvotimeve nga klasa të ndryshme është hasur në disa vendvotime, madje edhe raste ku fletëvotime nga një shkollë janë gjetur në shkolla të tjera. Të gjitha këto dëshmi dhe fakte të mbledhura do t’i adresojmë në PZAP, dhe këtë proces do ta çojmë deri në fund — deri në RIVOTIM! Përgëzoj secilin anëtar të ekipit që ka qëndruar vigjilent në çdo moment, duke siguruar çdo provë që Mitrovica të shkojë në RIVOTIM.”