Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas raportimeve për manipulim të votave në Mitrovicën e Jugut, duke thënë se shumica e fletëvotimeve të dyshuara janë në favor të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.
Ai shtoi se të gjitha fletëvotimet me numër serik të parregullt janë në favor të kandidatit të VV-së.
“Unë e definova kush është hani dhe kush është manipuluesi. Definohet shumë qartë: 99% e këtyre fletëvotimeve me kod të parregullt janë vota për Faton Pecin. Ky është fakt i mjaftueshëm për të vërtetuar që pas kësaj është LVV-ja. Pra, të gjitha votat – 99% e fletëvotimeve me numër serik – janë në emër të Faton Pecit. Kjo është dëshmi e mjaftueshme që pas kësaj qëndron LVV-ja”, tha Behrami për Tëvë1.
Behrami nuk e përjashtoi mundësinë që disa fletëvotime të pasakta të jenë edhe për PDK-në, “për të krijuar mbulesë ndaj manipulimeve”.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që, për të ndritur dyshimet, edhe disa fletëvotime për PDK-në të kenë numër serik të gabuar. VV-ja ndonjëherë mund t’i ketë dhënë edhe ndonjë votë Arian Tahirit. Por kjo nuk e largon mundësinë se manipulimi është bërë nga ata”, deklaroi ai.
Deputeti theksoi se çështja e fletëvotimeve të dyshuara “e diskrediton të gjithë procesin zgjedhor” dhe njoftoi se PDK ka dorëzuar ankesë në PZAP, duke kërkuar përfshirjen e Prokurorisë Speciale në hetim.
“Kur po flas për fletëvotimet, nuk po e përmend emrin e askujt tjetër, por ato që s’kanë numër serik e diskreditojnë krejt procesin”, tha Behrami.










