Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës.
Procesi është zhvilluar gjatë ditës nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe dy hetuesve policorë të caktuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas vendimit për rifillimin e numërimit të ndërprerë të hënën për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.
Procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime.
Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.
Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.
PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik.
Shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve të tilla, ndërkohë e ka kërkuar shoqëria civile. Eugen Cakolli, është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se fletëvotimet të cilat nuk përputhen me kodin e vendvotimit ku është votuar duhet të shpallen të pavlefshme.
Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.










