Lëvizja Vetëvendosje po do që ta udhëheqë një qeveri të re pa siguruar marrëveshje koalicioni paraprakisht, pavarësisht që me rezultatin e 9 shkurtit nuk mund ta formojë atë e vetme. Ajo ndërroi emrin e mandatarit, por jo mënyrën se si synon ta formojë qeverinë. Të mandatuarit, Glauk Konjufca, tashmë i kanë mbetur edhe shtatë ditë afat për këtë, por deri më tani nuk ka as seancë të Kuvendit të thirrur e as bisedime. Në vend të tyre ka thirrje të kryetarit të partisë, Albin Kurti, që të votohet Qeveria Konjufca.
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka njoftuar për seancë të re ku mandatari do të prezantojë kabinetin qeveritar dhe votimin për të. 19 nëntori është data e fundit që Konjufca mund ta shtyjë këtë procedurë dhe duket që do ta shfrytëzojë të plotë afatin prej 15 ditësh që nga dita e mandatimit nga presidentja e vendit.
Ky afat shërben si kohë për mandatarin që të zhvillojë biseda me qëllim të lidhjes së koalicionit e sigurimit të shumicës në Kuvend.
Megjithatë, nga Konjufca nuk është parë në publik angazhim për këtë. Në vend të tyre, shefi i tij, Albin Kurti, ka bërë vetëm thirrje që të votohet kabineti i ri që do të prezantojë Konjufca e ku ai do të ketë pozitën e ministrit të Jashtëm.
“Sa i përket krijimit të qeverisë, kanë ngelur edhe 10 ditë. Mandati i është dhënë nga presidentja Osmani Glauk Konjufcës nga VV, ne urojmë për më të mirën. E ritheksojmë, nuk mendojmë se është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje edhe në dhjetor edhe pastaj sërish në prill. Kështu që deputetët janë para përzgjedhjes ose Kurti 2.5 deri në dhjetor ose Konjufca 1 deri në prill”, tha Kurti të hënën.
“Por, pa asnjërën prej tyre nuk është e mundur, duhet të përcaktohen për njërën prej tyre. Besoj që në këtë javë dhe në fillim të javës së ardhshme do të mund të kemi informacion më të saktë”, shtoi ai.
Kurti me këtë deklaratë i vendosi partitë në Kuvend para dy opsioneve, ndërsa Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ku u bë e ditur se ai do të jetë mandatari i dytë, i kërkoi votë partive të tjera duke thënë se ose e votojnë atë ose vendi shkon në “pesë palë zgjedhje brenda një viti”.
“Kush na garanton se në mars, me këto qëndrime të subjekteve politike që i kemi mund ta zgjedhim një presidente ose president në fillim të marsit. Kjo do të na çonte në pesë palë zgjedhje brenda një viti. Është e papërballueshme për Republikën dhe për popullin tonë. Pra, ne po hymë në një qëllim të qartë, me një qëllim të mirë në funksion të interesit publik. Po kush e interpreton këtë se Lëvizja Vetëvendosje frikësohet nga zgjedhjet, që Lëvizja Vetëvendosje nuk është e gatshme për zgjedhje, e ka shumë gabim”, tha ai në fjalën e tij.
Konjufca më pas me tone pak kërcënuese për partitë tjera u shpreh shumë optimist se populli nuk ndërron qëndrim karshi Vetëvendosjes dhe se në rast të zgjedhjeve ai do t’ia ofrojë mbështetjen.
Në tentativën për të bindur partitë tjera që Konjufca duhet të votohet, Kurti në këtë mbledhje lavdëroi Konjufcën si “mendje e ndritur e jona” e si simpatizant i Hegelit.
Ai tha se janë me fat që e kanë në mesin e tyre, ndërsa tha se atë ia rekomandojnë “dashurisë tonë”, Kosovës.
“Mes filozofive të forta, filozofia më e fortë është filozofia e lirisë. Glauku nuk është filozof vetëm me formim universitar, por është dyfish i ndërtuar, mishërim i filozofisë si aktivist politik dhe i studiuesit të filozofisë si politikan shtetit. Simpatizant i Hegelit edhe ashtu si e kuptonte ky lirinë, Glauku është angazhuar gjithmonë për ndërtimin e realitetit të Kosovës sipas konceptit, për ndërtimin e shtetit sipas konceptit shtet si popull, territor dhe sovranitet”.
Partitë e tjera kanë deklaruar në takimin me presidenten Vjosa Osmani se asnjëra parti s’e ka shumicën parlamentare për formim të qeverisë.









