Ditën e djeshme, Partia Demokratike e Kosovës, bëri të ditur se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut, ku po hidhen dyshime për parregullsi.
Nga kjo parti u deklarua po ashtu edhe se rivotimi në këtë qytet, do t’i bëjë ‘’drejtësi procesit zgjedhor dhe vullnetit qytetar’’.
Përveç ankesës në PZAP, PDK i është drejtuar edhe Prokurorisë së Shtetit. Këtë e bëri të ditur mbrëmë deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda.
Ky i fundit në emisionin e mbrëmshëm në Pressing, njoftoi se PDK i është drejtuar me letër Prokurorisë së Shtetit, që rasti i procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut, të transferohet në Prokurorinë Speciale.
‘’I kemi kërkuar prokurorisë të shtetit të aktivizohet, ne e kemi çu në prokurori, kemi bërë denoncim me shkrim. Sot i kemi kërkuar që rasti të transferohet rasti në Prokurorinë Speciale. Sepse ju e shihni kompania del që të ketë bërë biznes me Martin Berishaj, një anëtar të VV’së. Edhe s’e kuptoj ky MArtin Berishaj shfaqet gjithkund, kudo që ka një problem të paligjshmërisë, Martin Berishaj është si hije. Mediat thanë se kjo kompani ka qenë bashkëaksionare me një biznes me Martin Berishajn’’, tha mbrëmë Gruda.
Reagime ndaj ankesës së PDK’së në PZAP ka pasur nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga kjo parti, mbrëmë në emisionin Interaktiv në KTV, është deklaruar Sekretari organizativ i VV’së, Alim Rama.
I njëjti e ka vlerësuar si “hajgare që po i bëhet procesit zgjedhor” ankesën e PDK’së në PZAP.
Ndryshe, procesi zgjedhor i raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që u zhvillua me 9 nëntor, në Mitrovicë është përcjell me kritika.
Fletëvotime të shumta nga atje janë shpërndarë në rrjet sociale, tek të cilat ka pasur çrregullime me numrat serikë, dhe po ashtu, shumë nga to nuk kanë qenë vulosura. Përveç kësaj, janë ndarë edhe foto ku shihen se disa fletëvotime kanë qenë të vulosura dy herë.
Lidhur me këtë situatë, për pak, procesi i verifikimit të votave atje është ndërprerë. Porse, më pas, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, urdhëroi sërish që i njëjti proces të rifillonte. Ndërsa nga PDK’ja, zërat për rivotim sa vinë e shtohen.










