Luksi qeveritar| Për 9-muaj u shpenzuan 27.3 milionë euro për udhëtime zyrtare, thirrje telefonike dhe derivate të naftës

Kosova mund të mos ketë institucione funksionale, por drejtuesit e saj s’kanë asnjë pengesë për bërë shpenzime marramendëse nga buxheti i shtetit. Bëhet fjalë për shpenzimet e luksit, të cilat për periudhën janar-shtator 2025 arrijnë për mbi 27 milionë euro.

Sipas raportit nëntë mujor të buxhetit të këtij viti përgatitur nga Ministria e Financave, drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës kanë shpenzuar 8.6 milionë euro për udhëtime zyrtare, hiç më pak se 3.8 milionë euro kanë arritur shpenzimet telefonike gjatë kësaj periudhe kohore, përderisa rreth 15 milionë euro për nëntë muaj kanë shkuar shpenzimet për derivate të naftës. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për periudhën janar-shtator 2025 institucionet e Kosovës kanë shpenzuar 27.3 milionë euro për udhëtime zyrtare, thirrje telefonike dhe derivate të naftës, raporton Front Online.

Krahasuar me vitet paraprake, kjo është rritje e pastër e luksit. Në 2023 u harxhuan 7.2 milionë për udhëtime; në 2024 – 8.8 milionë; e sivjet shifra i kalon të gjitha, ndonëse shpenzimet janë llogaritur vetëm nga muaji janar deri tek muaji shtator.

Edhe telefonatat e institucioneve  janë bërë më të shtrenjta, nga 3.3 në 3.8 milionë euro. Më shumë shpenzime janë realizuar edhe për derivatet e veturave zyrtare.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, për FrontOnline, ka dhënë kritika ndaj mënyrës se si po menaxhohen financat publike, duke e cilësuar trendin e shpenzimeve të fundit si të tepruar dhe të papërgjegjshëm.

“Trendi i shpenzimeve enorme, këtyre shpenzimeve që janë nga kategoria mallra dhe shërbime, e që lidhen me udhëtime jashtë vendit, për dreka zyrtare, për shpenzime të derivateve, shuma e pagesave për vendime gjyqësore, këtyre përmbaruesve privatë – në këtë mënyrë buxheti është shpenzuar në mënyrë jo-racionale”, ka deklaruar Shatri.

Sipas tij, një pjesë e mirë e këtyre mjeteve janë përdorur pa arsye të qëndrueshme ekonomike dhe jashtë logjikës së kursimit publik.

“Janë bërë shpenzime për pika të qejfit si shumë herë dhe të pa nevojshme”, ka theksuar ai.

Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri,  i konsideron si skandaloze shifrat e shpenzimeve të institucioneve, për rreth shtatë muaj.

Sipas tij, kjo tregon se përkundër se shteti ka qenë në ‘’pushim politik’’, buxheti i shtetit ka qenë ‘’punë të madhe’’.

‘’Këto shifra janë skandaloze për një shtet që s’ka funksionuar normalisht për muaj të tërë. Kur Qeveria është në detyrë dhe Kuvendi i bllokuar, çdo euro e shpenzuar duhej të kalonte përmes filtrit të përgjegjësisë, jo luksit. Por këtu duket se është ndodhur e kundërta – shteti ka qenë në “pushim politik”, ndërsa buxheti në “punë të madhe”, tha ai.

Për më tepër, ai i konsideron si tallje me qytetarin këto shpenzime, duke potencuar se gjatë kësaj kohe s’ka pasur as vendime të mëdha dhe as reforma.

‘’Të harxhosh mbi 8 milionë euro për udhëtime dhe miliona të tjera për telefona e naftë, në një periudhë kur s’ka pasur as vendime të mëdha e as reforma, është tallje me qytetarin që e paguan këtë sistem me taksa. Këto nuk janë shpenzime, janë simptoma të një shteti që e trajton buxhetin si plaçkë, jo si instrument zhvillimi’’, tha ai.

Sipas tij, kjo më shumë duket sikurse të ishte ‘’muaji i fundit’’ për tu pasuaruar dhe garë për shfrytëzimin e fondeve.

‘’Në vend që të kursehej, që çdo euro të kanalizohej për shërbime publike, kemi parë një garë për shfrytëzim maksimal të fondeve – sikur secili ta ndiente se ky është “muaji i fundit” për t’u pasuruar me para publike. Ky është realiteti i një administrate që nuk e njeh as përgjegjësinë financiare, as turpin politik’’, përfundoi ai.

Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, për FrontOnline ka thënë se mosformimi i institucioneve qendrore ka sjellë pasoja serioze në menaxhimin e financave publike dhe në ekuilibrin ekonomik të vendit.

“Sipas të dhënave, shpenzimet buxhetore prej 27.3 milionë euro për periudhën janar–shtator janë pasojë direkte e mosformimit të institucioneve qendrore, si e Parlamentit dhe Qeverisë”, tha Bellaqa

Ai ka shtuar se mungesa e kontrollit institucional ka prodhuar dezekuilibër ekonomik në raportin e shpenzimeve buxhetore.

‘’Ka dezekujliber ekonomik në raportin e shpenzimeve buxhetore se nuk ka kontrolle sepse nuk ka mekanizma mbikëqyrës dhe kontrollues qe e menaxhojnë në nivelin e duhur parat publike ne institucione publike sepse shume institucione nuk kanë as mekanizma mbikëqyrëse dhe ekonomia publike dhe private ka dalur nga shtrati i vetë’’, tha ai.

Sipas tij, shumë institucione nuk kanë as mekanizma mbikëqyrës dhe për pasojë ekonomia publike dhe private ka dalë nga shtrati i vet.

“Mungesa e institucioneve qendrore reflektohet që të ketë shpenzime më të larta se sa normalja e ligjshme’’, ka shtuar Bellaqa.

Ai ka kërkuar që çështja të trajtohet nga organet kompetente.

“Këtë çështje duhet ta kryej Zyra e Auditorit të Përgjithshëm Kombëtar dhe ta verifikojë gjendjen, ndërsa të gjeturat t’i paraqesë ashtu si janë, pra dhe konform ligjeve të procedohet më tutje”, ka përfunduar Bellaqa.