“Ka pasur dijeni”: Çfarë thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për Albin Kurtin, dhe refuzimin e tij për të dëshmuar?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte refuzuar tri ftesa nga Prokuroria Speciale e Kosovës për t’u paraqitur si dëshmitar në rastin e rezervës. Më pas, refuzoi edhe dy urdhra të Gjykatës, dhe u dënua me një gjobë. Megjithatë, Kurti nuk doli para prokurorëve Valdet Gashi e Milot Krasniqi të cilët e kanë ngritur aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve.

Në aktakuzën e siguruar nga gazeta Nacionale, thuhet se Albin Kurti është dëshmitar i rëndësishëm pasi ka pasur njohuri dhe dijeni për gjithë procesin e rezervës shtetërore.

“Referuar dëshmitarit Albin Kurti, prokurorët e rastit kanë vlerësuar se cilët persona do të mund të dëgjoheshin si dëshmitar. Në kuadrin e personave të cilat do të thirreshin ka qenë edhe Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës, në kohën kur dyshohet të jetë kryer vepra penale. Arsyeja pse është vlerësuar që ky person të dëgjohetsi dëshmitar ka qenë fakti se ai ka pasur njohuri për veprën, kryesit dhe rrethanat e rëndësishhme të kësaj çështjeje penale, marrë parasysh faktin se ka qenë në dijeni për procesin e furnizimit me mallra për rezervën shtetërore, ndër të tjera dhe përmes nënshkrimit të dy vendimeve në cilësinë e kryeministrit që lidhen me ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e këtyre mallrave si dhe për përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik të këtij procesi”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Nacionale.

Prokurorët special Gashi e Krasniqi, përmendin tri ftesat të cilat ia kanë dërguar Kurtit, e të cilat ai i refuzoi.

“Për të sigurar dëshminë e dëshmitarit Kurti në këtë çështje, Prokuroria ka dërguar tri ftesa të rregullta, e para me datë 11.12.2024 për t’u paraqitur në prokurroi, me datë 16.12.2024, ora 09:30, e dyta me datë 16.12.204 për t’u paraqitur në prokurori me datat 17-20.12.2024, ora 09:00 – 16:00, dhe thirrja e tretë me datë 23.12.2024 për t’u paraqitur në prokurori me datë 26.12.204, ora 08:30. Për tri thirrjet dëshmitari ka gjetur arsye të ndryshme për të mos u paraqitur në prokurori për të cilat është njoftuar Gjykata”, thuhet në aktakuzë.

Më pas, tregohen veprimet e Prokurorisë, e cila e njoftoi Gjykatën për refuzimin e Kurtit.

“Me datë 14.02.2025 prokurorët kishin parashtruar kërkesë në gjykatë për të arsyetuar lëshimin e urdhrit për paraqitjen e dëshmitarit me detyrim. Përveç arsyeve ligjore duke dhe shpejgimit të gjendjes faktike në këtë kërkesë, prokurorët e kanë njoftuar gjykatën duke argumentuar se kishin përmbushur kushtet që të lëshohet urdhër për paraqitje me detyrim të dëshmitarit. Me datë 21.02.2024, duke vepruar sipas kërkesës së prokurorëve, gjykata kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë dhe kishte lëshuar urdhrin me të cilin dëshmitari Albin Kurti ishte detyruar të paraqitej në prokurori me datë 04.03.2025 në orën 10:00”, thuhet në aktakuzë.

“Me datë 04.03.2025, ora 15:03 pasi dëshmitari Albin Kurti nuk e kishte e kishte përfillur as këtë urdhër të lëshuar nga gjykata, prokurorët e kishin njoftuar GJPP, se dëshmitari Albin Kurti nuk ishte paraqitur në prokurori për të dhënë dëshmi sipas urdhrit të lëshuar nga gjykata të datës 21.02.2025”, thuhet më tutje.

Në aktakuzë thuhet se Kurti nuk kishte asnjë shkak ligjor të justifikueshëm për mosparaqitjen e tij në Prokurori Speciale.

“Me datë 06.03.202, prokurorët kishin parashtruar në gjykatë kërkesën tjetër për lëshimin e urdhrit për detyrimin e dëshmitarit për paraqitje në Prokurori. Në këtë kërkesë të përsëritur, prokurorët e kishin njoftuar gjykatën me bazën ligjore dhe rrethanat faktike nga të cilat rezultonte qartë se dëshmitari Albin Kurti pa shkak ligjor të justifikueshëm nuk po e përmbushte detyrimin ligjor për t’u paraqitur në prokurroi, madje, edhe pas dërgimit të tri thirrjeve si dhe urdhrit të gjykatës për paraqitje me detyrim. Rrjedhimisht mungesat nuk ishin arsyetuar sipas rregullave të procedurës penale. Në këtë kërkesë të prokurorëve ishte kërkuar shprehimisht që gjykata t’ia shqiptojë dëshmitarit masat e përcaktuara si dhe të nxjerr urdhër tjetër me të cilin dëshmitari detyrohet të paraqitet në prokurori nën shoqërimin e forces”, thekson aktakuza.

Beteja vazhdonte. Prokuroria kërkonte, Gjykata urdhëronte, Kurti refuzonte. Si pasojë, ai u gjobit.

“Me datë 07.03.2025 gjykata pas vlerësimit të gjendjes faktike të krijuar dhe mosparaqitjen e dëshmitarit në prokurori, dhe sipas urdhrit të lëshuar me datë 21.02.2025 kishte nxjerr aktvendim për shqiptimin e gjobës ndaj dëshmitarit Albin Kurti. Me datë 10.03.2025 duke vepruar sipas kërkesës së prokurorëve, GJPP kishte miratuar kërkesën e prokurorisë dhe kishte lëshuar urdhrin e dytë me të cilin dëshmitari Albin Kurti ishte detyruar të paraqitet në prokurori me datë 14.03.2025 ora 10:00. Me datë 13.03.2025, dëshmitari Albin Kurti kishte parashtruar ankesë ndaj vendimit të gjykatës për shqiptimin e gjobës për shkak të mosparaqitjes në prokurori. Me datë 24.03.2025, Kolegji Penal i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktvendimin me të cilin ishte refuzuar ankesa e dëshmitarit ndaj vendimit për shqiptimin e gjobës”, thuhet më tutje në aktakuzën e siguruar nga Nacionale.

Si rezultat, Albin Kurti do të ftohet për të dëshmuar në proces gjyqësor.