E paprecedent: Bastisje brenda Speciales, kontrollohen të gjithë kompjuterët që përdori Thaçi

Të gjithë kompjuterët që ish-presidenti Hashim Thaçi përdori në Hagë i janë nënshtruar një analize forenzike nga hetues të jashtëm.

Një zhvillim tjetër, i paprecedent ka ndodhur në Gjykatën Speciale në Hagë përderisa atje po vazhdon të dëshmojë Chris Hill, emisar amerikan gjatë kohës së luftës në Kosovë. Atje, me kërkesë të Prokurorisë e aprovim të Gjykatës, është marrë vendim që të kontrollohen kompjuterët dhe printerët që ka përdorur për procedura ish-presidenti Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit. Materialet që Thaçi ka përdorur aty, janë ruajtur në një kopje e më pas e njëjta i është nënshtruar një analize forenzike.

DOKUMENT:

“Më 8 shtator 2025, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (“ZPS”), Gjykatësi i Procedurës Paraprake autorizoi disa kontrolle (shtesë) forenzike mbi materialet e ruajtura nga printerët dhe kompjuterët që (pretendohet se) janë përdorur nga dhe/ose kanë qenë të qasshme për Hashim Thaçin (“z. Thaçi”) në Qendrat e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Specifikisht, Gjykatësi i Procedurës Paraprake autorizoi kryerjen e kontrolleve të mëtejshme nga një kompani e jashtme forenzike (“KJF”)”, citohet në një shkresë, të nxjerrur nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot në rastin ku Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi.

Siç kuptohet nga parashtresa parakrake e cituar, për nxjerrjen e “dosjeve” nga kompjuteri që ish-presidenti Thaçi përdori në qendër të paraburgimit (për çështje të procesit), gjyqtarja Masselot ka urdhëruar të angazhohet një ekspert i jashtëm. Ky i fundit, ka marrë të gjitha dokumentet dhe printimet e bëra nga kompjuteri i përdorur nga Thaçi dhe të njëjtat ia ka dorëzuar Prokurorisë.

DOKUMENT:

Kontrolli i kompjuterëve ka ndodhur gjatë shtatorit dhe për të ka qenë në dijeni edhe mbrojtja e ish-Presidentit. Paraprakisht, me urdhër të së njëjtës gjyqtare, Thaçit i ishin ndaluar vizitat nga mbi 10 persona. Prokuroria fillimisht kërkonte që i njëjti vendim të merrej edhe për vëllezërit e Thaçit, por që pas reagimeve publike nuk ndodhte një gjë e tillë.