Avioni C-130 ishte ngritur nga Azerbajxhani dhe po kthehej në Turqi.
Një avion transporti ushtarak turk është rrëzuar të martën pranë kufirit mes Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë, bëri të ditur Ministria turke e Mbrojtjes, cituar nga agjencitë AFP dhe Associated Press.
Sipas njoftimit zyrtar, avioni i tipit C-130 ishte nisur nga Azerbajxhani dhe po kthehej drejt Turqisë në momentin e aksidentit. Ministria nuk dha menjëherë detaje mbi numrin e personave në bord.
“Forcat tona, në bashkëpunim me autoritetet azere dhe gjeorgjiane, kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi në zonë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes turke.
Pamje të transmetuara nga rrjeti NTV tregojnë avionin duke u rrotulluar në ajër dhe duke lënë pas një re tymi të bardhë para se të përplasej.
Avionët C-130 përdoren gjerësisht nga ushtria turke për transport personeli dhe operacione logjistike. Turqia dhe Azerbajxhani ruajnë bashkëpunim të ngushtë ushtarak.










