Hill për takimin me Thaçin dhe të tjerët: Nuk e kam ndjerë veten se isha në praninë e një vrasësi

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, diplomati amerikan, Christopher Hill tha se në takimin me Hashim Thaçin nuk e ka ndjerë veten se ishte në praninë e një vrasësi.

Sipas Prokurorisë, dëshmitari kishte thënë për mbrojtjen se në takim ishte një person që kishte reputacion që ishte i përfshirë në të shtëna me armë.

Por, për personin që kishte deklaruar më herët se donte të hynte në takim me armë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se ka thënë që ai njihej si “një person që shtinte me armë”.

“Personi që donte të hynte në takim së bashku me armën, nuk dukej si një person i nivelit të lartë në hierarki. Por, mund të shihej se ai nuk ishte thjesht një trupojë-një roje, por nuk kishte askush tjetër armë brenda shtëpisë. Nuk më kujtohet ta kem thënë se ky person njihej për gjeste të tilla. Nuk jam shumë i qartë me këtë citim”, tha Hill.

Prokurori James Pace e pyeti dëshmitarin më pas se a qëndron ajo që ka thënë se kur ishte takuar me Thaçin nuk ishte ndjerë sikur ishte në praninë e një vrasësi. Ndërsa, nga një gabim në transkript, thuhej se dëshmitari ka thënë të kundërtën e që u kërkua sqarim nga ana e tij.

“Kam thënë që nuk isha, përgjigje negative”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se në takim kanë qenë një person, Jakup Krasniqi dhe Thaçi përveç ndërkombëtarëve.

Pas kësaj, Hill tha se Jakup Krasniqi njihej si zëdhënësi i UÇK-së.