Ish-zyrtarja ligjore e LVV-së: Kompanitë sllovene që printuan fletëvotimet u angazhuan jashtëligjshëm, si u “gabua” veç në Mitrovicë?

Anita Shabani Cacaj, ish-aktiviste shumë e angazhuar e Lëvizjes Vetëvendosje dhe dikur zyrtare ligjore e kësaj partie ka ngritur dyshime për mënyrën se si i është dhënë kontrata në vlerë afro gjysmë milioni euro dy kompanive me adresë në Slloveni.

CETKOS dhe CETIS u angazhuan për printimin e fletëvotimeve, pa i plotësuar kriteret, sipas saj – njëra aktive, tjetra pasive

Numërimi i votave të garës së balotazhit për Mitrovicën e Jugut është ndalur me urdhër të Prokurorisë Themelore, që përmendi “gabime teknike” dhe “pretendime për manipulim të qëllimshëm me fletëvotime”.

Sipas Shabani Cacajt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “qëllimshëm apo jo ka lejuar pjesëmarrjen e paligjshme të operatorëve, dhe kjo është bazë për për hetim nga Prokuroria, sepse ka elemente të favorizimit dhe shmangie nga procedurat ligjore të prokurimit”.

Ajo ka parashtrurar disa pyetje, që nisin me një në krye të listës: “Si ndodhi që Fletëvotimet nga një biznes pasiv të kenë probleme vetëm në Mitrovicë, aty ku të gjitha Exit-pollet rezultuan të gabuara?!”.

“Si mund të printohen fletëvotime nga kompani që s’janë as ligjore e as nuk kanë aktivitet të përshtatshëm për këtë punë? Pse kompania e printimit reagoi aq shpejt mbrëmë, duke pranuar menjëherë që gabimi ishte i tyre, pa pasur nevojë as të verifikohet?”, pyet ajo.

Shabani Cacaj thotë se kjo kompani ndoshta “s’është përzgjedhur rastësisht”, pasi “mund të ketë shërbyer pikërisht për të mbuluar devijimet apo manipulimet e procesit zgjedhor në Mitrovicë”.

CETKOS, siç thotë ajo, merret me tregti me shumicë, jo me shtypshkrim dhe CETIS është pasive në ARBK që nga 2022.

“Sipas Nenit 8 te Rregullores 10/2024 të KQZ 2. Shtypja e fletëvotimeve dhe broshurave bëhet tek operatori ekonomik (OE) i kontraktuar në pajtim me legjislacionin për prokurimin publik në Kosovë, sipas kritereve të kësaj Rregulloreje. 3. Procesi i shtypjes dhe paketimit bëhet nga OE i certifikuar, në pajtim me standardet për sistemin e menaxhimit të shtypjes me siguri të lartë dhe sistemin e menaxhimit të sigurisë së informacionit”, shkroi ajo.

Njëra kompani – CETIS – si “pasive” në ARBK, “nuk ka të drejtë të operojë ose të jetë ofertues në tender publik”, shkruan ajo. Kompania tjetër, CETKOS është aktive, por “nuk ka aktivitet të lidhur me shtypshkrim ose prodhim materialesh zgjedhore dhe perfaqesohet me pronar Ilir Hoxha nga Prizreni”, thotë Shabani Cacaj.

Ajo tha se “në prokurim publik, kjo e bën kontratën të pavlefshme ligjërisht nëse njëra nga to ka paraqitur ofertën ose është përfshirë si nënkontraktore”.

“Sipas Ligjit për Prokurimin Publik dhe Udhëzimeve të KRPP-së, operatori ekonomik duhet: të ketë aktivitet ekonomik të përshtatshëm me natyrën e kontratës; dhe të dëshmojë përvojë profesionale në atë fushë. Printimi i fletëvotimeve zgjedhore është aktivitet i specializuar i shtypshkrimit me standarde sigurie, jo tregti me shumicë apo ndërmjetësim. Pra, CETKOS nuk plotëson kriterin profesional, dhe CETIS nuk plotëson kriterin ligjor (sepse është pasive)”, shkruan ajo.

Shabani Cacaj e mbylli postimin me një pyetje: “Kujt po i shërben kjo kompani sot, dhe kush po përfiton nga “gabimet” e saj?”.

KQZ-ja ka thënë në një sqarim publik se bëhet fjalë për një “gabim teknik” nga kompania sllovene që ka shtypur fletëvotimet. Sot, KQZ-ja tha se CETIS “merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre”. Për këtë përgjigje nga kompania me adresë në Slloveni, u tha se e kanë njoftuar Prokurorinë.