Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Ferdi Kadriu, ka reaguar pas publikimit të letrës nga kompania CETIS, e cila ka kryer shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale. Ai ka thënë se sqarimi i ofruar nga kompania nuk është i mjaftueshëm dhe, përkundrazi, “ngrit më shumë dilema se sa zgjidh”.
Sipas Kadriut, CETIS është kompani ndërkombëtare me standarde të larta të kontrollit të cilësisë dhe përvojë shumëvjeçare në prodhimin e materialit zgjedhor, prandaj pretendimi për një “gabim teknik” të këtij niveli kërkon verifikim të pavarur dhe jo vetëm një konstatim formal.
“Është e vështirë të pranohet se një gabim i tillë ndodh për herë të parë, veçanërisht kur ai paraqitet vetëm në Mitrovicë dhe ndikon drejtpërdrejt procesin e rezultatit zgjedhor. Fakti që ky ‘gabim’ shfaqet në nivel të vendvotimeve dhe qendrave të votimit njëkohësisht është i pazakontë dhe kërkon auditim teknik të plotë”, ka shkruar Kadriu.
Ai ka theksuar se pjesëmarrja e lartë në balotazh – në kundërshtim me trendin 25-vjeçar në Kosovë, ku pjesëmarrja zakonisht bie në raundin e dytë – përforcon nevojën që këto rrethana të shqyrtohen me seriozitet dhe transparencë të plotë.
Në reagimin e tij, Kadriu ka kërkuar katër masa konkrete për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor:
-
Auditim të pavarur teknik të të gjitha fletëvotimeve të prodhuara për këtë proces;
-
Verifikim të zinxhirit të prodhimit dhe shpërndarjes së materialit zgjedhor;
-
Përfshirje të një ekipi mbikëqyrës ndërkombëtar për hetim të paanshëm dhe profesional;
-
Transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse deri në sqarimin përfundimtar të rastit.
“Besimi në zgjedhje është themeli i stabilitetit demokratik. Çdo dyshim që prek këtë themel duhet trajtuar me përgjegjësi të plotë institucionale, pa presion dhe pa nxitim. Vullneti i qytetarëve duhet të jetë i pacënueshëm!”, ka përfunduar Kadriu reagimin e tij.










