Shala nga IKD: Keqpërdorimi i fondeve publike për qëllime elektorale, fenomen i zgjedhjeve

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se një fenomen që është vërejtur në zgjedhje të përgjithshme dhe ato lokale ka qenë keqpërdorimi i fondeve publike për qëllime elektorale.

“Një çështje tjetër shumë problematike e që përmendet është e pamë ndoshta edhe pas publikimit të Raportit të Progresit, është keqpërdorimi i fondeve publike për qëllime të fushatës dhe këtë krahas të tjerave e përmend edhe Raporti i Progresit në raport me zgjedhjet e përgjithshme që e kemi parë që ka ndodhur keqpërdorim i fondeve publike për qëllime elektorale”, tha Shala.

Kjo gjë ka ndodhur ndër tjerash edhe në Komunën e Mitrovicës gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, sipas Shalës.

“Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhje të përgjithshme mirëpo që fatkeqësisht ne e pamë edhe në zgjedhjet lokale gjatë ditës së djeshme, gjatë votimit në balotazh e pamë njëfarë forme të keqpërdorimit të burimeve publike, pamë njëfarë forme të presionit, pamë njëfarë forme të heshtjes zgjedhore veçanërisht në Komunën e Mitrovicës nga Kryeministri dhe nga akterët e tjerë qeveritar që është definitivisht e papranueshme”, u shpreh Shala.

Kjo, sipas Shalës, e krijon një garë të pabarabartë në mes partisë politike në pushtet dhe partive të tjera.

“Kjo duhet të adresohet dhe definitivisht nuk duhet të përsëriten situata të tilla veçanërisht ajo e djeshme ku pamë një lloj presioni aktiv të Qeverisë tek votuesit pikërisht gjatë ditës së zgjedhjeve”, tha ai. /BetimipërDrejtësi