Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, sonte u ndërpre procesi i numërimit të votave të balotazhit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. Sebep u bënë dyshimet për manipulim me vota, edhe pse KQZ doli me sqarim dhe u përmend një ‘gabim teknik’.
Ishte Prokurori Shpëtim Peci, i cili e ka konfirmuar se procesi s’po vazhdon, “derisa ekspertët e KQZ-së të bëjnë verifikimin”, thuhet në deklaratën e tij për T7.
Këta zyrtarë zbarkuan në QKN, por burimet e Klan Kosovës thonë se asnjëri prej tyre nuk është ekspert i verifikimit për fletëvotime.
Siç thonë burimet, njëri nga këta zyrtarë, është U.D. Drejtor i Sekretariatit.
“Zyrtarët e KQZ-së që sonte kanë shkuar në QKN në Mitrovicë, asnjëri nga ta nuk janë ekspertë të kësaj fushe. Njëri është U.D Drejtor i Sekretariati që as nuk njeh specifikat e fletëvotimeve”, thonë burimet.
Sipas informacioneve të para, zyrtari tjetër i KQZ-së që ka shkuar në këtë qendër është Drejtor i Operacioneve Zgjedhore.
Derisa për një tjetër person që u shfaq aty si zyrtar, është militant i Vetëvendosjes.
“Njëri është militant i VV-së. Para 6 muajve ka hy në punë në KQZ, është Udhëheqës i Divizionit për Operacione Zgjedhore, dhe as ABC-në e zgjedhjeve nuk e dinë, e për më keq as nuk e dinë cilat elemente të sigurisë i ka fletëvotimi”, thotë burimi.
Bazuar në këto burime, të vetmit ekspertë që kanë njohuri për specifikat dhe janë përgjegjës të fletëvotimeve në KQZ, janë Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informative Zgjedhore dhe Shërbim të Votueseve, si dhe Zyrtari i Lartë për Dizajn.
Megjithatë, këto informacione pritet të konfirmohen, pasi KQZ të japë sqarime edhe për këtë pjesë.









