“Thaçi donte pavarësi në Rambuje”- Krejt çka deklaroi Christopher Hill në ditën e parë të dëshmisë në Hagë

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill, i cili shërbeu në Kosovë gjatë viteve të luftës 1998–1999, po dëshmon në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, në kuadër të dëshmitarëve të mbrojtjes.

Christopher Hill, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, e ka filluar sot dëshminë për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë. Hill do ta vazhdojë dëshminë edhe nesër, me fillim prej orën 9:00. Para se të largohej nga salla, gjykatësi ia kujtoi që të mos flasë me asnjë person rreth dëshmisë së tij.

Hill dëshmoi sot për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në Rambuje.

Gjatë dëshmisë së tij, diplomati i pensionuar amerikan tha se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që në kishte kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi ai.

Ai tha se Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandat, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.

Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”.

Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.

Hill, i pyetur nga mbrojtja se cilat ishin synimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ajo donte që vetë UÇK-ja të ishte zëri i Kosovës dhe jo Ibrahim Rugova.

“UÇK-ja donte të punonte me Shtetet e Bashkuara sepse mendonte se ato mund t’i ndihmonin Kosovës ta fitojë pavarësinë afatmesme”, tha Hill.

Si një i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë luftës, Hill tha se e kishte shumë të vështirë ta gjente një njeri të vetëm që do të fliste në emër të UÇK-së.

“Të kërkoje personin përgjegjës ishte e pamundur, ekzistonin grupe të ndryshme. Ishin disa persona. Kishte komandant të ndryshëm zonash. Pra nuk mendoj se ekzistonte një numër i vetëm telefoni satelitor që ne mund ta thërrisnim. Ishte kaq e vështire të flisje me këta persona të ndryshëm. Filluam të kuptonim se ekzistonte më shumë se një politikë.”

Ndërkohë, Hill gjithashtu foli edhe për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partinë e udhëhequr nga ai, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai dëshmoi se UÇK-ja nuk donte që Rugova të ishte zëri i Kosovës.

“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, tha Hill.

Për më tepër, Hill tha se takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.

“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.

“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.

Hill pyet për momentin kur Shtetet e Bashkuara i kërkuan Hashim Thaçit të pranonte marrëveshjen:

“Po, dhe kjo ishte e rëndësishme, sepse qëndrimi i ministrave të jashtëm ishte se nëse njëra palë pranonte marrëveshjen e Rambujes dhe tjetra jo, ne do ta mbështesnim palën që e kishte pranuar dhe do të kundërshtonim atë që e refuzonte. Pra, nëse të dyja palët do ta pranonin, do të kishim marrëveshje. Por askush nuk ishte aq optimist sa të besonte se kjo do të ndodhte. Nëse më në fund të dyja palët do ta refuzonin, atëherë do të ishim në një situatë ku, dukshëm, do të duhej të tërhiqeshim. Unë gjithmonë isha skeptik ndaj atij lloj propozimi ‘merre ose lëre’, por kjo ishte ndjesia e përgjithshme – nëse nuk mund t’i bindnim të pranonin, atëherë pse ishim aty.” – tha aim ë tej.

I pyetur më pas se a e pranoi ish-Presidenti Thaçi marrëveshjen, Hill u shreh:

“Jo – ai shfaqi mirëkuptim për atë që po përpiqeshim të bënim, e kuptonte arsyetimin tonë që nuk mund të ketë një propozim që funksionon vetëm për njërën palë, por shqetësimi i tij ishte se nuk mund të vendosej në një pozicion për të pranuar një propozim që nuk e kishte pavarësinë të shprehur qartë në tekst.”

“E thotë edhe Hill në Hagë: S’kishte asnjë bazë që Hashim Thaçi kishte kontroll mbi UÇK-në”.