Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, e ka dënuar me 6 vjet burgim S.P., i cili akuzohet për vrasje të rëndë e mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve.
Sipas Gjykatës, i pandehuri akuzohet se me 11 prill 2025 në Gjakovë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin P.N, duke rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarit A.N derisa ndodheshin në lokalin e B.C, e që gjithçka ka nisur nga një pagesë.
“I pandehuri akuzohet se më datë 11 prill 2025, rreth orës 13:10 minuta, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin P.N., duke rrezikuar
gjithashtu edhe jetën e të dëmtuarit A.N., në atë mënyrë që, përderisa të dëmtuarit ndodheshin në lokalin e të pandehurit “B.C.”, së bashku me vëllezërit A.N dhe E.N., duke pirë kafe, në momentin kur kërkojnë të bëjnë pagesën, i dëmtuari P.N., i jep të pandehurit 20 euro për të paguar. Në atë çast ndërhyn A.N., duke insistuar se dëshiron t’i paguajë vetë pijet. P.N., i
drejtohet A.N., me fjalët: “Ti mos u lodh, se unë do të paguaj.” Pas kësaj, i pandehuri merr të hollat, shkon te banaku, merr pistoletën Zoraki 9×9 mm, kthehet tek tavolina, i hedh paratë në tokë dhe e godet me shqelm karrigen e të dëmtuarit P.N., duke i thënë: “Kujt i the ti mos u lodh?” Në atë moment ndërhyn dëshmitari A.N., i cili përpiqet ta kapë të pandehurin, ndërsa A.N., i del para P.N.. Të dëmtuarit, duke parë situatën e krijuar, futen në dyqanin “J.T.”. I pandehuri e repeton armën dhe, nga një distancë prej rreth 3 metrash, shtie tri herë në drejtim
të të dëmtuarve, ku dy plumba e godasin P.N., në këmbën e djathtë — në gju dhe nën gju — duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Ndërsa i dëmtuari A.N., i shpëton të shtënave, edhe pse ndodhej pothuajse ngjitur me P.N.. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes me armë në dorë dhe qëndron në arrati për rreth tre javë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjakovë.










