Lufta Izrael-Iran, vetëm çështje kohe – paralajmërimi i The New York Times

Teherani pretendon se materiali ndodhet nën rrënojat e objekteve të shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.

Një përballje e hapur ushtarake mes Izraelit dhe Iranit po cilësohet gjithnjë e më shumë si çështje kohe, sipas një raporti të publikuar nga The New York Times, i cili citon burime të shumta në Lindjen e Mesme dhe në agjencitë perëndimore të inteligjencës.

Sipas gazetës, rezervat bërthamore të Iranit – që përmbajnë uranium të pasuruar në nivele të larta, të mjaftueshme për prodhimin e deri në 11 armë bërthamore – janë bërë një pikë e errët e tensioneve të reja.

Teherani pretendon se materiali ndodhet nën rrënojat e objekteve të shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.

Por zyrtarët izraelitë besojnë se Irani ka zhvendosur fshehurazi uraniumin në një vendodhje tjetër, larg syve të inspektorëve ndërkombëtarë dhe jashtë rrezes së goditjeve.

Një objekt i ri, i fshehtë nga inspektorët ndërkombëtarë

Raporti i NYT thekson gjithashtu se Irani po punon për një objekt të ri pasurimi, ndoshta në thellësi të maleve, ku Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nuk ka më akses.

Kjo ka alarmuar jo vetëm Izraelin, por edhe shtetet e Gjirit Persik, që shohin një përshkallëzim të pashmangshëm në horizont.

Një diplomat nga një vend i Gjirit, cituar nga gazeta, u shpreh se “çdo ditë që kalon pa marrëveshje, e sjell rajonin më afër luftës”.

Frikë për një goditje të re izraelite

Burime në Tel Aviv thonë se Qeveria izraelite e cilëson “të papranueshme” që Irani të ketë sasi të tilla uraniumi të pasuruar dhe po përgatit çdo skenar, përfshirë edhe një operacion ushtarak parandalues.

Në muajt e fundit, Izraeli ka kryer disa sulme të targetuara në territorin iranian dhe sirian, të cilat sipas analistëve kishin për qëllim ngadalësimin e programeve ushtarake iraniane dhe pengimin e transferimit të teknologjisë në grupe aleate si Hezbollahu.

Nga ana tjetër, Teherani paralajmëron se çdo sulm i ri do të marrë “një përgjigje të gjerë dhe të ashpër”, duke përfshirë goditje ndaj objektivave izraelite dhe amerikane në rajon.