Tahiri: Peci tentoi të shantazhojë partitë me poste qeveritare për të arritur koalicione

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri në RTV21 ka theksuar se përkrahja për fushatën e tij është e bazuar në vullnet të qytetarëve dhe partnerëve politikë, dhe se nuk ka asnjë forcë, joshje apo presion i jashtëm që mund të ndikojë në mbështetjen e tyre.

Tahiri ka njoftuar për koalicionet e formuara me LDK-në, AKR-në dhe AAK-në, duke shtuar se kundërkandidati ka tentuar të ndikojë përmes mënyrave të ndryshme, por pa sukses.

“Kam koalicion me LDK-në, AKR-në dhe AAK-në; është vullnet i qytetarëve. Kundërkandidati ka tentuar të më joshë me forma të ndryshme, përfshirë poste qeveritare dhe biseda me kryetarin e LDK-së, por nuk kanë pranuar. Nuk ka forcë, joshje apo presion i jashtëm që mund të ndryshojë vullnetin për mbështetjen tonë,” tha Tahiri.

Në prag të ditës së zgjedhjeve për rundin e dytë në Prizren, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe mbështetësve të saj, në përkrahje të kandidatit për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK. “Nesër është dita vendimtare për ta dëshmuar angazhimin tonë në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK, dhe për ta mbështetur z. Totaj për kryetar të Prizrenit,” thuhet në njoftimin e LDK-së. Subjekti ka kërkuar nga të gjitha strukturat që të jenë të pranishme dhe aktive gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve. “Ju lusim që gjatë ditës së nesërme të aktivizoheni maksimalisht, të kontaktoni kryesitë e nëndegëve dhe përkrahësit tanë, dhe të sigurohemi që çdo votë e jona të jetë e pranishme dhe e numëruar,” theksohet në njoftim. Në fund, LDK ka përcjellë një mesazh të qartë për unitet dhe bashkëpunim: “Ky është momenti për angazhim dhe për fitore të përbashkët. Fitore✌️”