Gjashtë të vdekur nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën pasi Rusia ka ndërmarrë qindra sulme me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës energjetike dhe zonave të banuara në Ukrainë gjatë mbrëmjes së kaluar. BBC shkruan se një sulm në një pallat në qytetin Dnipro vrau dy persona dhe plagosi 12 të tjerë, ndërsa tre të tjerë humbën jetën në Zaporizhzhia.

Në total, u goditën 25 zona në të gjithë Ukrainën, përfshirë kryeqytetin Kiev, duke lënë shumë rajone pa energji elektrike dhe ngrohje. Kryeministrja Yulia Svyrydenko deklaroi në Telegram se objekte të rëndësishme energjetike janë dëmtuar në rajonet Poltava, Kharkiv dhe Kiev, dhe se po punohet për rikthimin e furnizimit me energji.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se forcat e saj kishin rrëzuar 79 dronë ukrainas gjatë natës. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar mbi 450 dronë shpërthyes dhe 45 raketa, nga të cilat 406 dronë dhe 9 raketa janë rrëzuar.

Ministria e Energjisë e Ukrainës raportoi ndërprerje të energjisë në rajonet Dnipropetrovsk, Chernihiv, Zaporizhzhia, Odesa dhe Kirovohrad, por punimet për rikthimin e furnizimit janë në vijim. Sipas Svyrydenko, objektet kritike të infrastrukturës janë rilidhur dhe furnizimi me ujë po mbahet në funksion përmes gjeneratorëve.

Rusia pretendon se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike synojnë objektivat ushtarake ukrainase. Megjithatë, autoritetet në Kiev janë të shqetësuara se Moska po përpiqet jo vetëm të dëmtojë moralin e popullit ukrainas, por edhe të paralizojë ekonominë e vendit përmes kolapsit të rrjetit energjetik.