Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Veriut paralajmëroi për më shumë “veprime sulmuese”, teksa Uashingtoni dhe Seuli e kritikuan lëshimin e fundit të një rakete balistike nga Pheniani.
Lëshimi i raketës nga Koreja e Veriut të premten ndodhi më pak se një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një turmeu në rajon, shprehu interes që të takohej me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Pheniani nuk u përgjigj për këtë ofertë. Ministri i Mbrojtjes i Phanianit, No Kwang Chol, tha se Uashingtoni është “bërë i guximshëm në veprimet e tij ushtarake duke kërcënuar sigurinë” e Veriut, dhe se ai po “eshte qëllimisht duke përshkallëzuar tensionin politik dhe ushtarak në rajon”.
“S’do të kursejmë veprime më sulmuese kundër kërcënimit të armiqve”, tha ai, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Phenianit, KCNA.
Më herët gjatë javës, para lëshimit të raketës të premten, , shefi i Pentagonit të SHBA-së, Pete Hegseth, dhe homologu i tij nga Koreja e Jugut vizituan Zonën e Demilitarizuar (DMZ), ku “konfirmuan pozicionin e fortë të mbrojtjes së përbashkët dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes vendeve të tyre.
Të mërkurën, aeroplanmbajtësja bërthamore e SHBA-së, USS George Washington, mbërriti në qytetin-port jugkorean Busan për mbështetje logjistike, sipas marinës së Seulit, një veprim që No nga Koreja e Veriut e quajti “përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve në Gadishullin Korean”. No gjithashtu tha se vizita e Hegseth në DMZ kishte për qëllim “të nxisë histerinë e luftës”.
Komanda e SHBA-së Indo-Paqësor tha të premten se lëshimi i fundit i raketës balistike nga Koreja e Veriut “thekson ndikimin destabilizues” të veprimeve të Phenianit, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara po “konsultohen ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë”.
Forcat e armatosura të Koresë së Jugut dënuan ashpër lëshimin e raketës nga Veriu. Përmes një deklarate, ushtria e Seulit “i bën thirrje Koresë së Veriut të ndalojë menjëherë të gjitha veprimet që rrisin tensionet mes dy Koreve”.
Trump javën e kaluar gjithashtu njoftoi se kishte miratuar planin e Koresë së Jugut për ndërtimin e një nëndetëseje me energji bërthamore. Zhvillimi i një nëndetëseje të tillë do të shënonte një hap të rëndësishëm për bazën detare dhe industrinë e mbrojtjes së Koresë së Jugut, thanë analistët, duke e futur vendin në një grup të vogël shtetesh që kanë anije të tilla. Ata po ashtu thanë se Veriu ka gjasa të reagojë me agresivitet kundër planeve të tilla të Jugut.










