Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave zhvillohet nesër. Në 18 komunat ku do të zhvillohet kjo garë, beteje më e rëndësishme duket të jetë ajo në Mitrovicë të Jugut. Përballje në mes kandidati të PDK-së, Arian Tahiri, dhe atij të VV-së, Faton Peci, nuk duhet thjeshtë një garë politike.
Ndonëse nesër zgjidhet edhe i pari Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës, vëmendja kryesore gjatë këtyre ditëve fushatës zgjedhore ka qenë komuna e Mitrovicës. Rëndësinë kaq të madhe kësaj përballje ia ka dhënë vetë kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
I pari i VV-së, terë pushtetin e tij e ka koncentruar në këtë qytet për të mbledhur sa më shumë vota.
Me kolegët e tij qeveritar dhe ata partia pothuajse çdo ditë ka qëndruar në Mitrovicë për t`i dhënë mbështetje Faton Pecit, i cili është edhe ministër në detyrë i Bujqësisë.
Interesimi i madh i pushtetit atje e ka bërë që kjo garë të mos jetë e barabartë.
Analisti Ilir Deda ka thënë Mitrovica është test i dinjitetit të njerëzve.
Në emisionin “Rubikon”, ai ka thënë qeveria po u bën presion të hatashëm mbi qytetarët e asaj komune.
“U bën presion njerëzve në Mitrovicë pa kurrfarë ndjeshmërie nëpër çka ka kaluar ai vend në 25-26 vjetët e fundit. E kërcënon indirekt Mitrovicën duke i thënë se s’ju jap para nëse s’fiton kandidati im. Mbrëmë e pamë në Prishtinë që tha se nëse votohet një qeverisje e përgjegjshme, 1.5 miliard euro janë investime në katër vjetët e ardhshme në Prishtinë. Kjo indirekt është edhe për komunat tjera”, ka deklaruar ai.
Edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avni Arifi, ka theksuar se në Mitrovicë po zhvillohet një garë e pabarabartë.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, Arifi ka thënë se Tahiri nuk po garon vetëm me rivalin e tij politik, Faton Pecin, por me tërë strukturën e pushtetit aktual.
“Kosova ka një lider pa vizion për shtet. Merret me një komunë. Arian Tahiri është fitues i garës për zgjedhjet lokale, ai ka fituar në krejt Kosovën, pa marrë parasysh rezultatin. Ai është duke luftuar me shtetin, krejt shteti është duke u munduar ta mundin. Nuk është në garë me Faton Pecin, është me Albin Kurtin, me krejt deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, me mekanizmat e shtetit që nuk do të duhej të merren me këto tema, mekanizma të sigurisë që nuk do të ishte dashur të merren me këto tema, sepse Arian Tahiri është qytetar i këtij vendi. A fiton Faton Peci apo Arian Tahiri, qytetarët e Mitrovicës duhet me vendosë. Jo me këto propaganda të ndyra”, ka thënë Arifi.
Kurse, analisti Milazim Krasniqi ka treguar se pse Albin Kurti dhe VV-ja janë angazhuara aq shumë gjatë fushatës në Mitrovicë.
Ai ka bërë me dije se Kurti e do këtë komunë për t`i vazhduar eskalimet dhe incidentet.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se në këtë mënyrë i pari i VV-së e maskon autonominë që ua ka pranuar serbëve.
“Mitrovica voton për ma shumë sesa veç për të parin e komunës. Vota e së dielës është mesazh që shkon edhe përtej kufijve tanë…” Me këto fjalë Hekuran Murati ka zbuluar pse është gjithë ai hyxhym i Kurtit në Mitrovicë. Nëse votohet për më shumë se sa “të parin e komunës”, për çka po u votuaka? Nëse votimi shkon përtej kufijve, deri ku po shkuaka? E qartë: Kurtit i duhet komuna e M. Jugut për të vazhduar eskalimin, incidentet. Ashtu e maskon autonominë që ua ka pranuar serbëve, deri sa të bëhet fakt i kryer. Lojë e rrezikshme”, ka shkruar ai.
Duke treguar rëndësinë e gatës në këtë qytet, deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se kësaj radhe Mitrovica voton për ma shumë sesa veç për të parin e komunës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se vota e të dielës shkon përtej kufijve të kësaj komune.
“Mitrovica të dielën i ka dy opsione para vetes: me votu për subjektin që punoi për bashkim të qytetit, apo për subjektin që kishte hequr dorë nga veriu. Kësaj radhe, Mitrovica voton për ma shumë sesa veç për të parin e komunës. Vota e së dielës është mesazh që shkon edhe përtej kufijve tanë, për të treguar se për cilin opsion është i përcaktuar populli. Duke e pasë Erden Atiqin në njërën anë të Ibrit, u nis e u ndërtua ura që tash e bashkon qytetin. Kurse për ta mbajtur urën hapur, e vetmja garanci është që në bregun tjetër të Ibrit tash të jetë Faton Peci kryetar”, ka shkruar Murati.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, i cili është mbajtur më 12 tetor, ka treguar se diferenca në mes të dy kandidatëve është shumë e ngushtë.












