Ish-finalistja e “Big Brother VIP 4”, Egli Tako, ishte e ftuara e radhës në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin dhe Lei Krajën, ku dha një intervistë të sinqertë dhe të ngjeshur me detaje nga karriera, përvoja në reality show dhe jeta personale. Ndër temat kryesore, ajo u rikthye edhe te momenti që pak muaj më parë u bë viral dhe ndezi debat të gjerë në rrjetet sociale.
Në korrik të këtij viti, këngëtarja u komentua gjerësisht pas performancës së saj në një koncert në Drenicë. E mbështjellë me flamurin kombëtar, Egli hapi performancën duke nisur thirrjen “Serbi, Serbi…”, të cilës publiku iu përgjigj me korin e njohur: “Të q** motrën!”. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjet dhe hapën diskutime të forta për mënyrën si u interpretuar momenti.
Duke folur në Top Albania Radio, Egli vendosi të sqarojë gjithçka rreth asaj skene, duke theksuar se situata u keqkuptua dhe se shumë portale e kthyen ngjarjen në tituj sensacionalë: “Si çdo gjëje tjetër i vihen bishta dhe tjetërsohet historia sepse lajmi dhe titulli shesin. Unë nuk kam qenë iniciatorja e të bërtiturit kundër Serbisë, edhe pse në fund të ditës… pse mos të isha?”, tha ajo.
Këngëtarja u shpreh se nuk e kupton arsyen pse reagimi i publikut këtë herë ishte kaq i ashpër, duke theksuar se thirrjet e tilla janë dëgjuar me vite nëpër stadiume e evente të shumta.
“Nuk e di pse shqiptarëve iu dhemb kaq shumë. Kjo gjë është thënë për herë të 250. Nuk e di pse këtë radhë i pickoi kaq fort dhe e morën kaq personale. A i kanë rregulluar marrëdhëniet me serbin? Ku e di unë?”, u shpreh ajo.
Egli mohoi kategorikisht se ka përdorur gjuhë banale në skenë, duke theksuar se momenti nisi nga turma dhe ajo thjesht u bë pjesë e energjisë së publikut: “Nga goja ime nuk kam nxjerrë asnjë fjalë banale. Turma e nisi atë gjë, unë u bëra pjesë me ta, e ndjeva të bëhesha. Kaq. Mbaroi muhabeti”.












