Arbër Emini që garoi si kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit ka bërë kërkesë për ndërhyrje urgjente nga institucionet e Kosovës, pasi sipas tij, ka prova të qarta se kandidati për kryetar të kësaj komune, Sreçko Spasiq, është emëruar nga Qeveria e Serbisë si Kryetar i strukturës ilegale të quajtur “Organ i Përkohshëm i Komunës së Vitisë”.
Përmes një reagimi në rrjetin social, Facebook, Emini shkroi se ky vendim përbën provë të qartë dhe të pakontestueshme se Spasic është pjesë aktive e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat veprojnë në kundërshtim me rendin kushtetues dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Si përfaqësues legjitim i komunitetit shqiptar në Komunën e Kllokotit, njoftoj opinionin publik dhe organet kompetente të Republikës së Kosovës se më datën 6 nëntor 2025, në Gazetën Zyrtare të Republikës së Serbisë (Službeni Glasnik RS, nr. 119-12147/2025), është publikuar vendimi i Qeverisë së Serbisë me të cilin Srecko Spasic emërohet Kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Vitisë”, shkruhet në reagimin e tij.
Emini tha se kërkon nga KQZ ta pezullojë kandidaturën e tij, nga PZAP që të nis procedurat dhe të anulojë çdo veprim që bie ndesh me ligjin.
Nga Prokuroria Themelore në Gjilan – të hapë hetim penal për veprimtari të kundërligjshme dhe ushtrim të funksioneve në institucione ilegale.
Si dhe nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Pushtetit Lokal që të reagojnë publikisht dhe ligjërisht për të ndaluar ndërhyrjet e Serbisë në proceset tona demokratike.
Ai shton se lejimi i një kandidati të tillë në fletëvotim është cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit dhe integritetit kushtetues të vendit.












