Janë varrosur Driton dhe Naim Morina, dy vëllezërit që mbetën të vrarë në fshatin Gollubovc të Malishevës të enjten e 6 nëntorit.
Në pamjet e publikuara nga fshati Mleqan, bëhet e ditur se në ceremoninë mortore morën pjesë një numër i madh i njerëzve, derisa prezente ishte edhe Policia e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë është dhëndri i viktimave, Astrit Isufi, i cili ra në prangat e Policisë mëngjesin e së premtes, derisa mori trajtim në QKUK.
Si ndodhi ngjarja?
Krimi ndodhi rreth orës 11:30 të paradites së enjte, kur i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pameve për babanë e tyre të ndjerë.
Pas disa minutash, sipas burimeve të redaksisë dyshohet se ai ishte rikthyer dhe ka hapur zjarr, duke i lënë të vdekur dy vëllezërit, njëri në vendin e ngjarjes, derisa tjetri nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve sa ishte rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.
Në momentin kritik, siç thanë burimet, gruaja e të dyshuarit dhe vajza e tyre kanë qenë në veturë, dhe kanë parë të gjithë ngjarjen.
Po ashtu, Klan Kosova ka mësuar se viktimat, dy vëllezërit Morina i kishin kërkuar motrës së tyre të ndahej nga bashkëshorti, në këtë rast nga i dyshuari Astrit Isufi.
Vërejtje:
Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.










