Qetësi para stuhisë: Wesley Clark, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit

Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, është dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit.

Kështu është bërë e ditur në konferencën e përjavshme për media nga zyrtarët e Gjykatës Speciale.

Në total, mbrojtja e Thaçit ka edhe tre dëshmitarë për të ftuar, ku në mesin e tyre është edhe Clark.

“Mbrojtja e Thaçit ka thirrur katër dëshmitarë deri më sot, dhe sipas parashtrimeve publike aktuale, synon të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në kuadër të paraqitjes së provave të saj”, thanë zëdhënësit e Speciales, raporton Nacionale.

“Më 4 nëntor, Trupi Gjykues miratoi kërkesa të Mbrojtjes së Thaçit në lidhje me javën pas javës së ardhshme dhe dëshminë e Uesli Klarkut (Wesley Clark), i cili është dëshmitari i fundit që Mbrojtja e Thaçit planifikon të thërrasë. Pasi u informua se dhënia e dëshmisë së tij mund të fillojë vetëm pasditen e 18 nëntorit dhe pasi shqyrtoi përllogaritjet e palëve në lidhje me kohëzgjatjen e parashikuar të pyetjeve të tyre, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për rezervimin e një dite shtesë për seancë gjyqësore më 21 nëntor, për të përfunduar dhënien e dëshmisë dhe miratoi shtimin e një deklarate me shkrim të dëshmitarit në listën e provave të Mbrojtjes”, thanë ata.

Në dokumentin e publikuar, mbrojtja thekson se Clark ka marrë miratimi e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dëshmuar në Hagë.

Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues të 2 shtatorit 2025, mbrojtja e z. Hashim Thaçi njofton se është marrë miratimi nga qeveria e Shteteve të Bashkuara (“Ofruesi i Rregullit 107”), që autorizon deklaratën2 dhe dëshminë e dëshmitarit të saj të fundit, 1DW-007, Gjeneral Wesley Clark”, thuhet në dokument.

Sipas dokumentit, mbrojtja e Thaçit ka kërkuar që dëshmia e gjeneralit amerikan të fillojë më 19 nëntor.

Në përputhje me udhëzimet e Panelit dhe duke marrë parasysh disponueshmërinë e deklaruar të 1DW-007, mbrojtja konfirmon qëllimin e saj për ta thirrur dëshmitarin 1DW-007 gjatë javës së 17 nëntorit 2025, por jo para pasdites së 18 nëntorit, ose, me shumë gjasë, në mëngjesin e 19 nëntorit 2025. Mbrojtja do ta ketë një pasqyrë më të qartë sapo të konfirmohen planet e udhëtimit dhe pasi të ketë pasur mundësi të konsultohet me 1DW-007 dhe WSPO në lidhje me afatin për hapat e tjerë përgatitorë përpara dëshmisë”, thuhet në dokumentin që është publikuar, duke u dhënë detaje tjera.

Ndërsa mbrojtja shpreson që dëshmia e 1DW-007 të mund të përfundojë brenda dy ditësh, ajo kërkon në mënyrë të jashtëzakonshme që Paneli Gjyqësor të caktojë të premten, më 21 nëntor 2025, si një ditë shtesë të seancës, në rast se është e nevojshme për t’u dhënë të gjitha palëve dhe pjesëmarrësve një mundësi të drejtë për të finalizuar dëshminë e 1DW-007”, thuhet në dokument.

Në parashtrimin e saj, ka treguar se çka do të dëshmojë gjenerali amerikan.

1DW-007 është një ish-Gjeneral i dekoruar me katër yje në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, i cili shërbeu si Komandant Suprem i i NATO-s nga 1997 deri në 2000. 1DW-007 jep dëshmi rreth drejtimit të përpjekjeve të NATO-s për të zbatuar Marrëveshjen Holbrooke-Millosheviq nga Tetori 1998, zbatimin e Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryerjen e fushatës ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit për të nënshkruar marrëveshjet e Rambujesë, vendosjen e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, dhe mbikëqyrjen e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së”, thuhet në dokument.